Javën e kaluar, kryeministri indian Narendra Modi i tha presidentit amerikan Joe Biden se India ishte gati të dërgonte ushqim në pjesën tjetër të botës. Kjo pas problemeve të furnizimit dhe rritjes së çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë. Modi tha se India kishte “ushqim të mjaftueshëm” për banorët e saj. Dhe se ishte “gati të furnizonte botën me rezerva ushqimore nga nesër” nëse Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) e lejonte.
Çmimet e mallrave ishin të larta që para luftës në Ukrainë për shkak të problemeve globale të korrjes. Pasi nisi lufta, çmimet shkuan në nivelin më të lartë që nga viti 1990.
Lufta e Ukrainës ‘katastrofike për ushqimin global’
Rusia dhe Ukraina janë dy nga eksportuesit kryesorë të grurit në botë dhe përbëjnë rreth një të tretën e shitjeve vjetore globale të grurit. Të dy vendet përbëjnë gjithashtu 55% të eksporteve vjetore globale të vajit të lulediellit dhe 17% të eksporteve të misrit dhe elbit. Së bashku, ato pritej të eksportonin 14 milionë ton grurë dhe mbi 16 milionë ton misër këtë vit, sipas UNFAO.

“Ndërprerjet e furnizimit dhe embargo me të cilën përballet Rusia do të thotë se këto eksporte duhet të hiqen nga llogaritja. India mund të ndërhyjë për të eksportuar më shumë, veçanërisht kur ka rezerva të mjaftueshme gruri”, thotë Upali Galketi Arachilage, ekonomist në UNFAO.
India është prodhuesi i dytë më i madh i orizit dhe grurit në botë. Që nga fillimi i prillit, ajo kishte në magazinë 74 milionë tonë të dy produkteve kryesore. Nga kjo, 21 milionë tonë janë mbajtur për rezervën e saj strategjike dhe Sistemin e Shpërndarjes Publike (PDS), i cili u jep më shumë se 700 milionë njerëzve të varfër akses në ushqime të lira.
India është gjithashtu një nga furnizuesit më të lirë globalë të grurit dhe orizit. Ajo tashmë po eksporton oriz në gati 150 vende dhe grurë në 68. India eksportoi rreth 7 milionë ton grurë në 2020-2021. Duke reaguar ndaj kërkesës në rritje në tregun ndërkombëtar, tregtarët kanë lidhur tashmë kontrata për eksportet e më shumë se 3 milionë tonëve grurë gjatë muajve prill-korrik.
India ka kapacitetin të eksportojë 22 milionë ton oriz dhe 16 milionë tonë grurë në këtë vit, sipas Ashok Gulati, profesor i bujqësisë në Këshillin Indian për Kërkime mbi Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare. “Nëse OBT lejon eksportimin e stoqeve qeveritare, ato mund të jenë edhe më të larta. Kjo do të ndihmojë në uljen e çmimeve globale dhe uljen e barrës së vendeve importuese në mbarë botën”, thotë ai.
Megjithatë ka disa probleme.
“Ne kemi rezerva të mjaftueshme për momentin. Por ka disa shqetësime dhe ne nuk duhet të bëhemi gung-ho (term që tregon entuziazmin) për të ushqyer botën”, thotë Harish Damodaran, bashkëpunëtor në Qendrën për Kërkimin e Politikave në Delhi.
Së pari, ekziston frika për një korrje më pak se sa pritej. Sezoni i ri i grurit në Indi është duke u zhvilluar dhe zyrtarët parashikojnë një korrje rekord prej 111 milionë tonësh.
Por ekspertë si Damodaran nuk janë të bindur. Ai beson se rendimenti do të jetë shumë më i ulët për shkak të mungesës së plehrave dhe problemeve të motit siç janë shirat e tepërt dhe vapës së madhe në fillim të verës.
“Po e mbivlerësojmë prodhimin. Duhet të presim edhe pak”, thotë ai.
Një tjetër pikëpyetje, thonë ekspertët, është mbi plehërat kimike, një komponent bazë i bujqësisë. Rezervat e Indisë kanë rënë pas luftës. India importon fosfat di-amoniumi dhe plehëra që përmbajnë azot, fosfat, squfur dhe potas. Rusia dhe Bjellorusia përbëjnë 40% të eksporteve botërore të plehërave potas. Në nivel global, çmimet e plehërave janë tashmë të larta për shkak të rritjes së çmimeve.

Mungesa e plehërave mund të godasë lehtësisht prodhimin në sezonin e ardhshëm të korrjes. Një mënyrë për ta shmangur këtë, thotë Damodaran, është që India të eksplorojë “marrëveshjet grurë për pleh” me vende si Egjipti dhe Afrika.
Gjithashtu, nëse lufta zgjat, India mund të përballet me sfida në rritjen e eksporteve.
“Eksportimi i vëllimeve të mëdha të drithërave përfshin infrastrukturë të madhe si transporti, magazinimi, anijet”, thotë Arachilage. Ekziston edhe çështja e kostove më të larta të transportit.
Së fundmi, ekziston shqetësimi kryesor për çmimet galopante të ushqimeve në vend, inflacioni i ushqimeve arriti në 7.68% në mars në nivelin më të lartë të 16-mujorit. Kjo është nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të vajrave ushqimorë, perimeve, drithërave, qumështit, mishit dhe peshkut. Banka qendrore e Indisë ka paralajmëruar për “presionet e ngritura të çmimeve globale në artikujt kryesorë ushqimorë” që çojnë në “pasiguri të lartë” mbi inflacionin.
Pushtimi rus ka të ngjarë të ketë “pasoja serioze” për sigurinë globale të ushqimit, sipas IFPRI, një institut kërkimi. UNFAO vlerëson se një ndërprerje e zgjatur e eksporteve të grurit, plehrave dhe mallrave të tjera nga Rusia dhe Ukraina mund të rrisë numrin e njerëzve të kequshqyer në botë nga tetë në 13 milionë.
Më shumë se tre milionë fëmijë mbeten të kequshqyer në Indi, pavarësisht të korrave të bollshme dhe rezervave të bollshme ushqimore.
Nëse ka një gjë që politikanët e Indisë e dinë, është se ushqimi, ose mungesa e tij, përcakton fatin e tyre. Qeveritë kanë rënë në të kaluarën për shkak të rritjes së çmimeve të qepëve.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje