Komiteti i Jashtëm në PE votoi këtë të mërkurë me 66 vota pro dhe vetëm 4 kundër për draft-raportin e progresit të Komisionit për Shqipërinë për vitin 2021.
Eurodeputetët shprehin keqardhje për dështimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të vonuara me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vonesa, sipas tyre, minon besueshmërinë e BE-së dhe është një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së në tërësi.
Drafti paraprak u paraqit në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian për diskutime në fillim të muajit shkurt. Eurodeputetët kanë paraqitur amendime. 24 amendime u miratuan me konsensus, ndërsa tre prej amendimeve të ekstremistëve të djathtë, ku kërkohej që Shqipërisë t’i thuhet ‘troç’ se nuk mund të anëtarësohet në BE u rrëzuan.
Sa për përmbajtjen, raporti nuk dallon shumë nga raporti i 2020, ndërkohë që kapitulli për drejtësinë në draft-raportin 2021 i raportueses për Shqipërinë, Isabel Santos është pjesa me më shumë ekstremitete në përmbajtjen e draftit.
Në këtë pjesë, në disa pika lëvdohet progresi i arritur në një sërë drejtimesh, përshëndetet puna e SPAK, vlerësohet miratimi i 10 ligjeve që synojnë forcimin e sistemit të drejtësisë. Por theksohet detyrimi i autoriteteve për të bërë më shumë në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, sidomos në pjesën e tenderave dhe të financimit publik të partive.
Komisioni Europian thekson detyrimin e autoriteteve shqiptare për të vazhduar përpjekjet në eleminimin e korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale në të gjithë aktivitetin publik, përfshirë këtu te tenderat dhe financimin e e partive.
Theksohet gjithasht se progresi i qëndrueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi me shtyllën kryesore procesin e vettingut, duhet të pasohet me ngritjen e gjykatave plotësisht funksionale.
Komisioni mirëpret punën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të organizuar dhe gjykatat e posaçme në përpjekjet e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mirëpritet miratimi i 10 ligjeve që synojnë forcimin e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe thekson rëndësinë e masave shtesë për zbatim, si harta e re gjyqësore, një sistem të ri menaxhimi të çështjeve dhe një sistem arsimor të përforcuar juridik.
Theksohet rëndësia e masave vendimtare kundër pastrimit të parave, për të siguruar një rekord proaktiv hetimi, gjykimi dhe dënimesh për zyrtarë të lartë dhe konfiskimi i asetesh kriminale.
Mirëpriten përpjekjet që raportuesja Isabel Santos i quan “sistematike” për të përmirësuar luftën kundër trafiqeve njerëzore, trafikut të armëve, kontrabandës, sëbashku me krimet kibernetike, krimet e dhunshme, ekstremizmin dhe kërcënimeve terroriste.
KE vlerëson bashkëpunimet dhe marrëveshjet dypalëshe dhe ndërkombëtare të Shqipërisë në luftën kundër çmontimit të rrjeteve ndërkombëtare të krimit, përfshirë këtu bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese të BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje