Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar trupat e tij në Mariupol që të anulojnë planin për të sulmuar në fabrikën e çelikut, që është fortesa e fundit e kontrolluar nga batalioni ukrainas, Azov.
Në vend të kësaj, ai ka kërkuar që fabrika të rrethohet në mënyrë që ‘asnjë mizë të mos lejohet që të dalë prej andej’.
Ukraina thotë se në këtë fabrikë ndodhen mbi 2 mijë luftëtarë të batalionit të saj Azov dhe rreth 1 mijë civilë. Fabrika ka një rrjet tunelesh nëntokësore të zgjeruar dhe një ofensivë ruse për të marrë kontrollin e saj mund të ishte e suksesshme, por me humbje të mëdha.
Putin e dha urdhrin për ta rrethuar gjatë një bisede me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, bisedë e cila u transmetua nga mediat shtetërore ruse. Në këtë bisedë, Shoigu njofton Putinin se forcat ruse tashmë kontrollonin të gjithë qytetin e Mariupolit, përfshirë këtu edhe portin e tij me përjashtim të fabrikës së çelikut.

Batalioni Azov, i lidhur me të djathtën ekstreme ukrainase është shquar gjatë këtyre 8 javëve konflikt për rezistencën e bërë ndaj trupave ruse në Mariupol. Grupi akuzohet nga Moska si nazist dhe fajësohet për një sërë krimesh të kryera ndaj popullsisë ruse në Ukrainën Lindore.
Ndërkohë, zëvendëskryeministrja i Ukrainës ka kërkuar që Rusia të lejojë një korridor të menjëhershëm humanitar që civilët dhe të plagosurit të largohen nga fabrika e çelikut në Mariupol. Iryna Vereshchuk reagoi pasi presidenti rus Vladimir Putin anuloi planet për të sulmuar uzinën Azovstal.
“Ka rreth 1000 civilë dhe 500 ushtarë të plagosur atje. Ata të gjithë duhet të tërhiqen nga Azovstal sot,” tha Vereshchuk në mediat sociale.
Të mërkurën, një komandant detar në uzinë i dërgoi një mesazh BBC-së duke thënë se ushtarët e plagosur të bllokuar atje ishin në gjendje të rëndë, pa ilaçe dhe furnizime të tjera. Ai bëri thirrje që njerëzit e tij të evakuoheshin në një vend të tretë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje