Ne rrjet

Për të kuptuar autokratët modernë, lexoni literaturën sovjetike për fëmijë

Kur Shën Pjetërburgu ishte ende Leningrad, Unversiteti i qytetit për gjuhët e huaja, përdorte një skenar nga vepra e Evgeny Shvart për t’u mësuar rusishten të huajve.

Shvarts ishte një shkrimtar i shkëlqyeshëm  që i kishte shmangur spastrimet e Stalinit duke u strehuar në sigurinë e letërsisë për fëmijë. “Dragoi”, i përfunduar në vitin 1944, prezantohet si një pamje çuditërisht ironike e një komploti përrallor. Në fakt, është ndër shpjegimet më të qarta të sundimit autoritar të shkruar ndonjëherë, që është shumë e rëndësishme tani që autokratët po rikthehen.

Lancelot, heroi, arrin në një vend të tiranizuar për shekuj me radhë nga një dragua me tri koka.

Dragoi kërkon një vajzë çdo vit, si dhe sasi kolosale bagëtish dhe ushqime të tjera të shijshme. Lancelot deklaron qëllimin e tij për të vrarë bishën. Megjithatë, banorët e qytetit i luten të mos përpiqet. Dragoi nuk është aq i keq, ata protestojnë. Ai kujdeset për nënshtetasit e tij, ai vloi liqenin për t’i dhënë fund një murtajeje vetëm 82 vjet më parë. Kalorësit e tjerë që u përpoqën ta vrisnin, u grindën dhe vetëm i përkeqësuan gjërat. Përveç kësaj, ai i mbron ata nga dragonjtë e tjerë. Kur Lanccelot thotë se nuk mund të ketë dragonj të tjerë, ata refuzojnë ta besojnë atë.

I pabindur, Lancelot niset. Dragoi dhe kryebashkiaku, komplotojnë për të sabotuar kalorësin dhe shumica e popullatës bashkëpunojnë me ta. Por një nëntokë e vogël e furnizon Lancelotin me armë dhe një qilim fluturues. Kur beteja fillon, fshatarët shpallin me bindje besnikërinë ndaj dragoit. Ndërsa dy kokat e para përplasen në tokë, propagandistët këmbëngulin se asgjë nuk është e gabuar. Qytetarët e paqëndrueshëm festojnë vetëm kur i hiqet koka e fundit.

Një vit më vonë, Lancelot kthehet për të parë se kryebashkiaku i ka bindur qytetarët se ishte ai dhe jo Lancelot që e kishte vrarë dragoin. Duke përdorur spiunët, burgjet dhe prirjen e vetë qytetarëve për korrupsion, ai kishte zënë vendin e tiranit. Kalorësi i zhgënjyer arrin në përfundimin se prerja e kokës nuk ishte e mjaftueshme: krimbi ka shtrembëruar shpirtrat e nënshtetasve të tij dhe “ne duhet të vrasim dragoin në secilin prej tyre”.

Për të shmangur gulagun, Shvarts pretendoi se dragoi qëndronte për Hitlerin. Padyshim që qëndronte edhe për Stalinin. Gjatë periudhës së glasnostit, lexuesit e “Dragoit” e morën atë si një padi të shkëlqyer të një forme totalitarizmi që po largohej nga bota. Nga fundi i viteve 1980, qeveritë komuniste kishin humbur kryesisht oreksin e tyre për të vrarë nënshtetasit e tyre. Në të vërtetë qytetarët e kombeve të bllokut sovjetik ishin në rrugë, duke rrëzuar dragonjtë e tyre.

Megjithatë, të lexosh shfaqjen 30 vjet më vonë, është zemërthyese. Dragonjt janë kthyer, nga Ankaraja në Moskë, duke mashtruar popujt e tyre ndërsa pretendojnë se i mbrojnë ata nga kërcënimet joekzistente. Disa nga subjektet e tyre i tolerojnë. Shumë i brohorasin. Shvarts i kap të gjitha: gënjeshtrat që përhapin tiranët për të maskuar grabitjet e tyre si patriotizëm, këmbëngulja e tyre cinik se rezistenca është e kotë dhe nevoja e tyre për të vrarë ata që thonë të vërtetën.

Mbi të gjitha ai tregon se si qytetarët janë të korruptuar për të bashkëpunuar në shtypjen e tyre. Është një mesazh i rëndë për një përrallë, por fëmijët mund ta përballojnë atë. Ata mund të jenë akoma më të mirë në shikimin e dragonjve sesa në prindërit e tyre.

Burimi: The Economist/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë