Politike

Negociatat mbeten pezull, Bullgaria paralajmëron veton për Maqedoninë e Veriut

Bullgaria nuk ka dhënë sinjale se do të zhbllokojë negociatat për Maqedoninë e Veriut. Sofja këmbëngul në kërkesën e vet që Shkupi të njohë në nivelin e Kushtetutës minoritetin bullgar në vend.

“Për të nisur procesin e bisedimeve të anëtarësimit, kushti për Maqedoninë e Veriut për të regjistruar bullgarët në Kushtetutë mbetet në fuqi”, ka deklaruar ministrja e Jashtme bullgare, Teodora Genchovska para një konference ku merr pjesë edhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Varhelyi do të ndalet në Tiranë ditën e enjte, si pjesë e një turi vizitash të zyrtarit të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bllokada e mundshme bullgare edhe në samitin e qershorit do të thotë automatikisht mungesën e një date për negociata anëtarësimi edhe për Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nëse as në qershor BE nuk do të caktojë një datë, atëherë do të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia e Veriut.

Ndarja ose jo e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut ishte pjesë e 12 pyetjeve që Rama vendosi në atë që e quan procesi i konsultimit kombëtar. Kur njoftoi përgjigjet e dhëna nga qytetarët, ai tha se shumica e shqiptarëve kërkonin ndarjen.

Por, vetë ndarja nuk është më shumë në dorë të Shqipërisë se sa të Brukselit. Avancimi paketë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit ka qenë një kërkesë që në 2016-n e Holandës e mbështetur më vonë edhe nga Franca, Gjermania dhe vende të tjera të Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë