Shtetet e Bashkuara të Amerikës po lobojnë te vendet anëtare të Bashkimit Europian që të shtojnë mbështetjen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e tyre të integrimit, duke zhbllokuar negociatat.
Vetë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken është përfshirë në një seri telefonatash me diplomatët e vendeve kryesore të BE-së, ku veç luftës në Ukrainë temë e bisedimeve, sipas njoftimeve në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit ka qenë edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Biseda e fundit e Blinken ka qenë me ministrin e Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.
“Biseduan për të ofruar më shumë ndihmë për ushtrinë ukrainase teksa përballen e rezistojnë përballë agresioni të paprovokuar të Rusisë, si dhe për masat shtesë që Putin dhe regjimi i tij të japin llogari për këtë agresion. Sekretari dhe Ministri i Jashtëm folën gjithashtu edhe për të shtuar mbështetjen për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën e tyre drejt integrimit”, thuhet në deklaratën e DASh.
Caktimi në qershor i një date për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kërcënohet edhe këtë herë nga vetoja bullgare ndaj Shkupit. Ministrja e Jashtme bullgare përsëriti se kushti i vendosur për të përcaktuar në kushtetutë minoritetin bullgar qëndron në fuqi.
Ndërkohë, Shqipëria ka paralajmëruar nga ana tjetër se do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut nëse as në qershor nuk ofrohet një datë për negociatat. Por, ndarja mbetet në dorë të vendeve të BE-së. Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi deklaroi vitin e kaluar mbi mundësinë e ndarjes së dy vendeve.
Deklarata shkaktoi një furtunë reagimesh kundër, që nga Austria, Gjermania, Franca e deri edhe te vetë Maqedonia e Veriut. Sipas disa burimeve të cituara në atë kohë nga EurActiv, disa vende të BE-së mendojnë se Shqipëria nuk është ende gaati për negociatat dhe po përdorin veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut si mjet të përshtatshëm për të bllokuar procesin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje