Në Europë ka luftë. Luftë agresore e Rusisë kundër Ukrainës. Urdhrin e dha Vladimir Putini më 24 shkurt 2022.
Pak më parë kancelari gjerman, Olaf Scholz ishte përpjekur më kot të ndryshonte qëndrimin e sundimtarit në Kremlin.
Me vete Putini i dha të ftuarit disa fjalë për mikun e tij më të mirë jashtë Rusisë: gjermanët duhet të jenë mirënjohës për Gerhard Schröderin. Ish-kancelari është një “ekspert i pavarur” dhe një “njeri i drejtë”.
Me lëvdata nga goja e një njeriu me gjasë kriminel lufte është mësuar lobiisti i gazit me teserë socialdemokrate.
Të dy këta burra kuptohen shkëlqyeshëm prej disa vitesh. Pretendimi i Schröderit se Putini është “një demokrat pa të meta” është legjendar dhe flet më vete.
Dy mburravecë i pasojnë njëri-tjetrit lëvdata dhe hedhin rërë në sytë e të tjerëve. Shembulli i fundit: pohimet e Schröderit në intervistë me “New York Times.”
Schröder si zëdhënësi personal i Putinit
Ai burrë, të cilit prej dekadash i pëelqen vetja në pozën e atij që të tjerët duhet ta dëgjojnë, ul zërin, kur vjen fjala për mikun e tij Putin.
“Ajo që mund t’iu them është se, Putini është i interesuar ta përfundojë luftën. Por kjo nuk është kaq e thjeshtë. Ka disa gjëra që duhen të sqarohen.”
Schröder tingëllon si zëdhënësi personal i ish-agjentit rus. Dikush flet pallavra dhe përpiqet edhe të krijojë përshtypjen, se di më shumë se sa thotë. Kjo është vetëmburrje e një plakushi, që frazat e veta boshe i mban për retorikë të një burri shteti.
Në një kohë që Schröderi e humbi shansin të bëhej një “Elder Statesman” si Helmut Schmidt, Richard von Weizsäcker, menjëherë pas humbjes në vitin 2005 kundër Angela Merkelit duke i shërbyer Putinit si portieri që hap derën për marrëveshjet energjitike me Gjermaninë.
Schröder mund të kthehej në shembull
Dëshira për vetinskeim ka qenë një tipar i rëndësishëm i maskilistit Schröder. Etiketat si “shoku i bosëve” ai i ka pas merituar. Politikanit të dikurshëm të majtë, (Schröder ka qenë kryetar i socialistëve të rinj) i ka pëlqyer gjithmonë e i pëlqen të jetë i barabartë me bosët që peshojnë miliona.
E kjo nuk është akuzë. Në fund të fundit Schröder ia doli të ngjitet në karrierë nga shtresa e thjeshtë. E parë nga kjo perspektivë ai mund të ishte edhe shembull. Por asnjëherë atij nuk i është shqitur imazhi i një arroganti që i ka hyrë vetja në qejf e që ta shton edhe ajo është vënë re, se ai gjithmonë ka pasur në qendër vetëm veten. E kush e vë veten në epiqendër ka tendencën e mbivlerësimit pamasë.
Marshi gjerman: “një mik, një mik i mirë”
Si me vizitën e tij private tek Putini pas fillimit të luftës. Me sa duket ai besonte vërtet, se do mund të bindte me sukses mikun e tij të ndalonte luftën menjëherë.
Ndoshta Schröder ka ëndërruar të merrte edhe çmimin Nobel të Paqes, në rast se do kishte sukses. Por në të vërtetë ai u kthye bisht ndër shalë nga Moska në qytetin e tij, Hanover.
Asnjë fjalë nuk u dëgjua për takimin e tij me nxitësin e luftës në Kremlin. Sjellja e Kremlinit të kujton gati tragjikisht një këngë marshi popullore në vitet 30 në Gjermani. “Një mik, një mik i mirë.” Kjo këngë në vargun e dytë vazhdon: “Një mik mbetet gjithmonë një mik, edhe nëse bota përmbyset.”
Kaq larg nuk kanë shkuar punët. Por trupat e Vladimir Putinit që nga 24 shkurti 2022 kanë shkatërruar pjesë të mëdha të Ukrainës dhe kanë vrarë mijëra vetë. E për Gerhard Schröderin kjo nuk është aspak arsye për të hequr dorë nga miqësia me Putinin. (DW)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje