Bota

Koreja e Veriut lëshon një raketë balistike, e 14-ta gjatë këtij viti

Gazeta Si – Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike drejt ujërave lindorë, thanë më 4 maj zyrtarët e Koresë së Jugut dhe të Japonisë.

Kjo është raketa e 14-të e lëshuar gjatë këtij viti në Korenë e Veriut dhe po ashtu vjen gjashtë ditë pasi presidenti i ri i Koresë së Jugut të marrë mandatin pesëvjeçar.

Përmes një deklarate për media, ushtria koreano-jugore, tha se raketa u lëshua nga rajoni i kryeqytetit të Veriut dhe fluturoi për në ujërat e bregdetit lindor. Në deklaratë u tha se ushtria e Seulit po monitoron për armë të reja që Koreja e Veriut mund të testojë.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Japonisë tha se Koreja e Veriut ka të ngjarë që ka lëshuar një raketë balistike, por nuk dha më shumë detaje.

Rojet bregdetare japoneze u bënë thirrje anijeve që lundrojnë jashtë brigjeve japoneze që të kenë kujdes.

Vëzhguesit kanë thënë se ritmi i shpejt i testimeve të armëve nga Koreja e Veriut, tregon se ky shtet ka bërë përparim në programet e raketave dhe po bën presion ndaj Uashingtonit, për shkak të bllokimit të negociatave.

Ata thonë se Kim dëshiron që të përdorë arsenalin e tij bërthamor për të fituar njohjen ndërkombëtare të Koresë së Veriut si shtet bërthamor, pasi ai beson se një gjë e tillë mund të shtyjë Shtetet e Bashkuara që të lehtësojë sanksionet ekonomike që ka vendosur ndaj Phenianit.

Koreja e Veriut gjatë këtij viti ka testuar një raketë balistike ndërkontinentale, që mund të ketë aftësi të arrijë në tokën amerikane.

Javën e kaluar, Kim Jong Un, shfaqi raketat e tij më të fuqishme bërthamore gjatë një parade ushtarake të mbajtur në Phenian.

Gjatë fjalimit në këtë paradë, ai tha se do ta zhvillonte arsenalin e tij bërthamor “në ritmin më të shpejtë të mundshëm”, duke kërcënuar se Koreja e Veriut mund të përdorë armë bërthamore nëse kërcënohen interesat e saj kombëtare./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë