Bota

Foto/ Shpërthim në një hotel luksoz në Kubë, 22 të vdekur dhe mbi 50 të plagosur

Gazeta Si – Të paktën katër kate dhe pjesa më e madhe e fasadës së hotelit “Saratoga”, një hotel-ikonë me 5 yje në zemër të qendrës historike të Havanës, u shkatërruan nga një shpërthim që vrau 22 njerëz, përfshirë dhe një fëmijë.

Mes të plagosurvee, janë edhe 50 të rritur dhe 14 fëmijë, ndërsa sipas autoriteteve raportohet edhe për disa të zhdukur.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 11 të mëngjesit me orën lokale: sipas presidentit kuban Miguel Diaz-Canel, shpërthimi “u shkaktua nga një rrjedhje gazi”.

Hoteli po kryente punë mirëmbajtjeje në këtë kohë dhe për këtë arsye ishte i mbyllur për turistët.

Pamjet e zonës të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë rrugën e mbushur me mbeturina, copa xhami dhe makina të shkatërruara.

E gjithë zona është izoluar me shpejtësi nga policia, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë nisur menjëherë kërkimin e të mbijetuarve apo viktimave të mundshme në rrënoja.

Pranë hotelit ka edhe një shkollë, por për fat të mirë të gjithë fëmijët janë evakuuar dhe nuk ka të lënduar.

Ndërtimi i Hotel Saratoga, në stilin neo-klasik, daton në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, por falë zgjerimeve dhe zbukurimeve të mëvonshme, ndërtesa u bë e famshme rreth gjysmë shekulli më vonë, kur guidat turistike e raportuan atë si një nga më të mirat mes hoteleve në kryeqytetin kuban.

Një fame, që ai e ruajti deri në vitet 1960, kur pas revolucionit filloi rënia e tij.

Megjithatë, pas një sërë rinovimesh të shtrenjta nga një kompani britanike, ajo u rihap në vitin 2005, me 96 dhoma luksoze, tre bare, dy restorante, një pishinë, qendër biznesi dhe shërbime të tjera.

Që atëherë, aty kanë qëndruar personalitete të shumta nga bota e politikës, biznesit dhe argëtimit, mes tyre edhe një pjesë e delegacionit të presidentit amerikan Barack Obama me rastin e vizitës së tij në Kubë në vitin 2016.

Për shkak të pandemisë Covid, dy vite më parë ishte mbyllur dhe rihapja ishte caktuar për në 10 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë