Sprintieri i njohur xhamajkian, Usain Bolt, ka mbetur shumë i zhgënjyer nga ajo që i ka ndodhur në Australi, ku po testohet me skuadrën e Coast Mariners, por ende nuk mund të quhet një futbollist profesionist. Ai është befasuar, kur në mënyrë të papritur i kanë kërkuar të bëjë një test antidoping.
Usain Bolt nuk e ka fshehur zhgënjimin e madh që ka përjetuar, kur ka parë kërkesën për testin antidoping nga Federata Australiane e Futbollit. Xhamajkiani synon të bëhet pjesë e A-League me fanellën e Coast Mariners, por ky klub ende nuk e ka zyrtarizuar si profesionist. Pas dy golave të shënuar në një ndeshje miqësore, Bolt është përballur çuditërisht me njoftimin e agjencisë antidoping australiane. “Jam tërhequr nga atletika e lehtë dhe po përpiqem të bëhem një futbollist profesionist, por shikoni këtu, – shkruan sprintieri i famshëm në profilin e tij në Instagram, ku tregon edhe njoftimin e marrë. – Si mund ta bëj këtë test? Nuk jam ende një futbollist profesionist… Seriozisht e keni?”

Më tej, mbajtësi i rekordit botëror në 100 metra (9.58) dhe 200 metra (19.19), ka shpjeguar: “I kërkova zonjushës që më bëri analizat pse duhet të bëja një test antidoping, kur nuk kam firmosur me asnjë skuadër. Ajo më tha se jam një sportist elite dhe duhet t’u nënshtrohem testeve”. Xhamajkiani, pas lamtumirës nga atletika, është stërvitur me disa skuadra, si Borusia Dortmund në Gjermani dhe Stromsgodset në Norvegji. Prej gushtit ai është në provë tek australianët e Central Coast Mariners, por drejtuesit e këtij klubi nuk janë bindur ende për t’i ofruar një kontratë profesionisti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje