Franca i rikthehet një propozimi jo dhe aq të ri që qarkullon në Bruksel për krijimin e një forme bashkëpunimi hibride me vendet kandidate, që analistët dhe njohësit e zgjerimit të BE-së e kanë interpretuar më shumë si përpjekje për të mos pranuar anëtarë të rinj.
Presidenti i rizgjedhur, Emmanuel Macron, duke folur për rastin e Ukrainës shqiptoi një propozim që prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë. Ai hodhi idenë e krijimit të një organizate të re politike, ku do të bashkoheshin të gjitha vendet europiane që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë anëtare të bllokut.
Gjatë fjalimit në Strasburg në Ditën e Europës, Macron tha se “të gjithë ne e dimë shumë mirë se procesi për anëtarësimin [e Ukrainës] do të marrë disa vite, në fakt ndoshta disa dekada”.
Macron propozoi atë që e quajti “Komunitet Politik Europian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.
“Kjo organizatë e re europiane do t’u mundësojë të gjitha shteteve europiane, që u përmbahen vlerave tona thelbësore, që të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, në fushën e transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve”, tha Macron.
Megjithatë, Presidenti francez shtoi se anëtarësimi në këtë organizatë të re, nuk do të garantonte një anëtarësim të ardhshëm në BE. Një propozim të ngjashëm ka mbërritur nga Holanda në 2019-n, por në atë kohë ai ishte specifik vetëm për Ballkanin Perëndimor. Sipas atij propozimi, BE duhet t’i jepte statusin e partnerit strategjik të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, por duke përjashtuar anëtarësimin e këtyre vendeve në union.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje