Emri i parë si kandidat për President ka mbërritur si propozim i botës së biznesit. Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri i ka propozuar Kuvendit Përparim Kalon si pasues të Ilir Metës.
Përmes një shkrese të Antoni Nidoli, kryetar i kësaj dhome thuhet se propozimi ka mbërritur si përgjigje ndaj ftesës që Kuvendi i ka adresuar shoqërisë civile dhe organizatave që veprojnë në Shqipëri për identifikimin e kandidaturave të mundshme për President.
“Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri propozon dhe mbështet pa rezerva zotin Përparim Kalo si kandidat i përshtatshëm dhe i denjë për këtë post të rëndësishëm në kuadrin e sistemit demokratik shqiptar”, thuhet në letrën e dorëzuar në Kuvend.
Përparim Kalo ka mbi 30 vite punë si jurist dhe avokat. Në vitin 1994 ka filluar veprimtarinë si avokat dhe për 26 vjet radhazi ka drejtuar zyrën e avokatisë “KALO & ASSOCIATES”, e njohur si ofruese e shërbimeve ligjore në fusha të ndryshme të së drejtës në Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë kuadër u ka ofruar personalisht shërbime ligjore agjencive të zhvillimit, institucioneve ndërkombëtare, publike, private e financiare, ambasadave dhe shoqërive shumëkombëshe, si dhe shërbime ligjore të veçanta në një sërë projektesh privatizimi të ndërmarrjeve strategjike shtetërore e transaksione private me peshë në ekonominë shqiptare.
Ai është përfshirë në hartimin e disa ligjeve në fushën e së drejtës tregtare, në kuadrin e reformave ligjore e institucionale dhe të përafrimit të legjislacionit me atë të BE, të financuara nga Banka Botërore, IFC-ja, EBRD-ja, KFË-ja, Këshilli i Europës, BE-ja, GIZ-i e të tjera.
Aktualisht ai është gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, i zgjedhur nga Presidenti Ilir Meta në dhjetor të 2020-s si vakancë e përkohshme. Por, në këtë post është me mandat të përfunduar që prej datës 8 prill, ndërsa është hapur procedura për zëvendësimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje