Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për nisjen e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri ishte parashikuar si formalitet ligjor e kushtetues. Por, shumica dhe pakica u përplasën në lidhje me standardet e procesit dhe datën e mbajtjes së raundit të parë të bisedimeve.
Enkelejd Alibeaj, Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Flutura Açka dhe Mesila Doda nga opozita akuzuan shumicën për proces farsë dhe se e kishin vendosur se kë do të bënin president. Por, deputetët e opozitës u shfaqën të përçarë në lidhje me kriteret që duhet të plotësojë një kandidaturë, përveç kërkesës se ai duhej të ishte një emër anti-komunist.
Nga Partia Socialiste akuzuan opozitën se po paragjykon procesin dhe përsëritën kërkesën që t’u qëndrojë tryezave të diskutimeve për mundësinë e gjetjes së një emri konsensual.
Por, konsensus nuk u gjet për datën e raundit të parë nga pesë raunde votimi që parashikon Kushtetuta, ku socialistët votuan për orën 17:00 të datës 16 maj për t’u kryer votimi i parë.
Kandidatët për President duhet të dorëzojnë në Kuvend brenda orës 16:00 të së dielës dokumentacionin që kërkohet nga Kushtetuta dhe ligji, ndërsa Komisioni i Ligjeve do t’i shqyrtojë përmbushjen e kritereve të secilit kandidat në një mbledhje që do ta mbahet në orën 10:00 të së hënës.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se administrata e Kuvendit do të jetë në punë edhe ditën e diel për të marrë në dorëzim dokumentacionet e kandidatëve potencialë. Gjithsesi, ekziston mundësia që në raundin e parë të mos ketë asnjë kandidat në garë.
Në këtë skenar, ky raund do të quhej i konsumuar dhe procedura nis nga e para për mbajtjen e raundit të dytë, që duhet të zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga mbyllja e raundit të parë. Në tre raundet e para, Presidenti zgjidhet me 84 vota, ndërsa në dy raundet e fundit mjafton shumica e thjesht prej 71 votash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje