Politike

Negociatat, Rama s’ka pritshmëri të madhe: Mali i Zi i bashkohet Ballkanit të Hapur, mbështesim Kosovën për në KiE

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka pritshmëri të madhe nga mbledhja e 6 qershorit e udhëheqësve të Bashkimit Europian në lidhje me caktimin e një date për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.

“Tani situata dihet dhe të përsërisim atë që vazhdon të përsëritet mbase nuk ia vlen. Ne jemi në pozicionin që dihet, do presim dhe presidencën franceze. Këtu çështja është tek Bullgaria që ka marrë peng Maqedoninë dhe që si rezultat, ka bërë që ne të jemi peng i një ngërçi të madh që ne nuk kemi lidhje fare”, thotë ai.

Rama foli në një intervistë dhënë pas darkës së punës me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell mbrëmjen e së mërkurës. Në këtë takim merrnin pjesë të gjithë udhëheqësit e rajonit. Kryeministri përsëriti qëndrimin se Shqipëria do të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia e Veriut nëse as këtë herë nuk merr një datë për shkak të vetos bullgare.

“Të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata”, shtoi ai.

Sipas Ramës, ndihma e BE-së për Ballkanin Perëndimor për të përballuar pasojat e luftës në Ukrainë është e garantuar, por ajo vonohet për shkak të burokracive në vendimmarrje.

Për Ballkanin e Hapur, Rama thotë se shumë shpejt do t’i bashkohet edhe Mali i Zi, pas marrjes së detyrës si Kryeministër të Dritan Abazoviçit.

“Është çështje kohe. Unë e kam thënë gjithmonë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë në fakt se nuk ka ku shkon tjetër kjo punë përveçse tek bashkëpunimi”, tha ai.

Në fund, Rama përsëriti gjithashtu qëndrimin mbështetës pa asnjë mëdyshje ndaj Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, ku Prishtina pritet që të aplikojë këtë të enjte.

“Kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë