Prezantimi i raportit në Kuvend nga Genci Mamani, kreu i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave u ndërpre nga një sherr i pazakontë brenda sallës së seancave plenare mes deputetëve të opozitës.
Protagonistë të sherrit u bënë deputetët Edmond Spaho, Tritan Shehu dhe Gazment Bardhi.
Spaho dhe Shehu akuzuan për shpifje Gazment Bardhin, që në një seri postimesh në T|witter ka folur për një vilë luksoze që është në shitje në Gjirin e Lalzit duke nënkuptuar se ajo është në pronësi të një deputetit të opozitës.
“Pyetje për “opozitën e vërtetë”; vilën 760 mijë euro, e shitën apo s’po ja ble askush? Nuk mund të mbash peng opozitën për një vilë të pajustifikuar që të ka zbuluar dhe me të cilën të mban peng Edi Rama!”, shkruan Bardhi në një postim të 9 majit.
Pyetje për “opozitën e vërtetë”; vilën 760 mijë euro, e shitën apo spo ja ble askush 🤔? Nuk mund të mbash peng opozitën për një vilë të pajustifikuar që të ka zbuluar dhe me të cilën të mban peng Edi Rama!!!
— Gazment Bardhi (@GazmentBardhi) May 9, 2022
Deputeti i rikthehet të njëjtës vilë me një postim të dytë këtë të enjte. “E rëndësishme është që për shkak të publicitetit çmimi i vilës është ulur”, shkruan ai.
E rëndësishme është që për shkak “të publicitetit” çmimi i vilës është ulur 😂😂 pic.twitter.com/AMCActkkB7
— Gazment Bardhi (@GazmentBardhi) May 12, 2022
Postimi i Bardhit është bërë në orën 11 e 19 minuta. Pak pas këtij momenti ndodhi përplasja mes tij dhe Edmond Spahos dhe Tritan Shehut në prani të Jorida Tabakut. Nga mazhoranca ndërhyri Erion Braçe që e cilësoi të turpshme shfaqjen në fjalë.
Debati ishte i ashpër mes Spahos dhe Bardhit, që për pak u përplasën fizikisht. Gjatë përplasjes verbale, ata përdorën fjalët “zhduku”, “s’të vjen turp”, “palaço”.
Edmond Spaho i është drejtuar Gazment Bardhit me fjalët: Je shpifës, gënjeshtar dhe legen që thua që vila 760 mije euro është e njërit nga katër deputetët Noka, Shehu, Spaho, Leskaj.
Spaho reagoi më pas në rrjetet sociale. Ai e quan mashtrues, gënjeshtar, të pafytyrë, intrigant, burrë legen e deri te “pa të poshtme”. Spaho thotë se e ka të deklaruar të gjithë pasurinë e vet në ILDKP dhe i kujton Bardhit vrasjen e Elbasanit para zgjedhjeve të vitit të kaluar.
“Vetëm sharlatanë si Gazi mund të thonë shpifje të tilla për qëllime politike. Askush nga rrethi im familjar nuk merret me biznes dhe nuk ka pasuri të tilla. Gazi bën mirë të kujdeset për pronat e tij. Shiko hallet që të kanë zënë more derëzi, mos hap fronte të tjera se mjaft e ke ngjarjen në Elbasan”, thotë Spaho.
“Burrec” e quan Tritan Shehu në reagimin e tij, duke e ftuar që të bëjë denoncimin te strukturat përkatëse.
“Është vepër antiligjore, përveçse ndesh dhe me çdo normë morali, transparence, “burrërie”, të përhapesh aludime e meskinitete për kolegët në publik e media. Këtë po bën dhe Gazi prej disa ditësh, duke arritur kulmin mbrëmë, kur ngushton rrethin e të “akuzuarve” prej tij në 3-5 deputetë, përfshi dhe mua”, shkruan Shehu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje