Kur zv.Kryeministri Arben Ahmetaj mbrojti politikat e qeverisë për çmimet dhe politikat mbështetëse për qytetarët dhe bizneset, me të replikoi deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.
Tabaku, që drejtoi komisionit hetimor për inceneratorët drejtoi gishtin nga Ahmetaj si një prej protagonistëve, sipas saj, të keqqeverisjes së vendit, korrupsionit me procesin e rindërtimit dhe të favorizimeve klienteliste.
“Ndoshta mund të jem e paditur se nuk jemi të gjithë mësues anglishte që mësojmë Ekonomiks, por të paktën zgjohem e qetë nga gjumi se tendera për koncesionet dhe inceneratorët nuk kam firmosur ndonjëherë”, tha ajo.
“Ty do të duhet të jetosh 3 jetë të bësh shkollat e mia, por kënaqu me fjalët e tua. Unë do firmos për investime publike deri kur Kryeministri im, grupi im parlamentar dhe qytetarët të më autorizojnë në një detyrë ose në një tjetër, qoftë këtu, qoftë atje. Ta kam thënë një herë dhe do vijë shumë shpejt, se çfarë shkon rrotull vjen rrotull. Do i filloj gjërat unë që nga Genova deri tek firmat e tua për shtëpinë tënde. E ke bërë zakon, e përmend emrin tim. Të kam paralajmëruar miqësisht që po e tepron. Nuk ke dëgjuar. Jam krenar për firmat që vë dhe mbaj përgjegjësi vetë, edhe politikisht, edhe personalisht”, reagoi Ahmetaj.
Pjesën e dytë të këtij reagimi të Ahmetajt, Jorida Tabaku e lexoi si kërcënim ndaj saj.
“Sa për dijeni, jam Jorida Tabaku, e kam për krenari që vij nga dy familje të mëdha të Tiranës, e kam për krenari. Ka 9 vite që është në pushtet dhe ka qenë përballë meje për vite me radhë, unë flej e qetë, nuk kam frikë se më zgjon ndonjë thirrje nga SPAK. Nëse do të hetojë, le të vijojë, ka të gjithë fuqinë e shtetit. Mua nuk më intimidon as kërcënon dot ashtu siç nuk më ka intimiduar në çdo mënyrë që është përpjekur në Komisionin e Inceneratorëve”, tha ajo.
Ndërkohë, në lidhje me debatin për krizën e çmimeve, Tabaku i cilësoi masat e qeverisë të vonuara dhe të pamjaftueshme.
“Tendenca për rritjen e çmimeve ka filluar vitin e kaluar në gusht-shtator. Sot ndërkohë që flasim, qeveria shqiptare ka miratuar një plan masash në shkurt të këtij viti për masa sociale për rritjen e çmimeve, ndërsa inflacioni ka arritur në këtë muaj në thuajse 7 për qind. Kjo tendencë ndihet më shumë tek ata që janë më të varfër. Në këtë situatë ekonomike ka vetëm 1 përgjegjës, shkurtditësia e kësaj qeverie. Në situatën ku jemi duhet të kishit marrë masa të tjera”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate akuzoi qeverinë për duke shfrytëzuar ligjin për investimet strategjike. Për këto investime, PD kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor, kërkesë që u refuzua të mërkurën nga socialistët.
Ahmetaj mbrojti ligjin dhe vendimet në kuadër të këtij ligji, ndërsa bëri një rezyme më rozë të situatës ekonomike të vendit.
“Qeveria do vazhdojë të bëjë investime strategjike, do vazhdojë ta aplikojë ligjin për investime strategjike që është i hapur për këdo. Po të shohësh të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë në rritje, gjë që ju duhet ta gëzoni. Gjithë shtesa e të ardhura shkon për investime publike dhe për paketa të mundshme sociale”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje