Politike

Akuza nga Austria: Meta loboi në SHBA me para korrupsioni! Presidenca: Shpifje të fabrikuara, padi gazetës

Tabloidi austriak “Kronen Zeitung” publikoi këtë të hënë në versionin e vet print dhe online një shkrim me akuza të forta ndaj Presidentit Ilir Meta.

“Kronen” flet në artikull për një ish-punonjës të administratës së shteti shqiptar që ka kërkuar azil në Austri, sepse i kërcënohet jeta nga Ilir Meta. Mes rreshtave thuhet se personi në fjalë ka pranuar të dëshmojë për tabloidin duke u takuar me gazetarët e saj ‘në një vend sekret’.

Shkrimi më pas bën një përshkrim të gjendjes emocionale të ish-punonjësit, që sipas gazetës austriake është i frikësuar për jetën e tij.

Më tej, artikulli vazhdon duke sqaruar se shqiptari ndjehet i kërcënuar, sepse ka denoncuar një aferë të Presidentit Ilir Meta, që sipas “Kronen” ka lobuar me para korrupsioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje duke paguar 700 mijë euro për të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump në janar të 2017-s.

Gazeta austriake pretendon se është e paqartë se kush e pagoi udhëtimin, ndërsa hedh akuza se Meta ka lobuar në SHBA përmes një kompanie qipriote guackë të quajtur “Dorelita Limited”. Kompania në fjalë, sipas denoncimit ka paguar 700 mijë dollarë për 6 muaj lobim.

Presidenti Ilir Meta reagoi përmes zëdhënësit Tedi Blushi, duke e cilësuar artikullin në fjalë shpifje e gënjeshtra të fabrikuara që janë konsumuar prej vitesh, për të cilat deklaron se do të ngrejë padi në Austri.

“Këto shpifje, mjerisht të fabrikuara dhe të hedhura në tregun mediatik edhe kohë më parë, e kanë marrë përgjigjen shumë të qartë dhe në mënyrë asgjësuese, që në prill të vitit 2018. Edhe kjo përpjekje e radhës, e rifabrikuar në mënyrë qesharake dhe vulgare, do të marrë përgjigje përpara drejtësisë austriake”, thotë Presidenca.

“Presidenti i Republikës, ka autorizuar stafin dhe mbrojtësit ligjorë, që të përgatisin menjëherë padinë “Për përhapjen e të dhënave të pavërteta”, “Shpifje”, “Cenim të imazhit publik”, që në këtë rast cenon rëndë edhe interesat e larta shtetërore. Në këtë mënyrë, shpifësit do të marrin përgjigjen e merituar përballë drejtësisë”, vijon më tej reagimi.

Meta e mbyll reagimin duke ‘garantuar se beteja e tij për mbrojtjen e interesit publik dhe luftën kundër korrupsionit nuk do të ndalet, por do të përshkallëzohet deri në zbardhjen e plotë të aferës së inceneratorëve, që sipas tij, deri më tani vetëm sa është gërvishtur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë