Politike

“Vonesat e negociatave, dhuratë për Moskën”. Borrell flet për situatë të paqëndrueshme në Ballkan dhe shton presionin ndaj Serbisë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrel deklaroi se vonesat dhe burokracitë e Brukselit për të hapur negociatat e anëtarësismit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë një dhuratë për Moskën.

Në fjalën e mbajtur në takimin me ministrat e Jashtëm të unionit, Borrell e përshkroi situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor si të paqëndrueshme.

“Ne duhet të hapim sa më parë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo duhet të ndodhë brenda Presidencës franceze, seps situata aktuale nuk është e qëndrueshme dhe si e tillë është një dhuratë për Moskën”, tha Borrell në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Përfaqësuesi i BE qortoi me doza të forta Serbinë dhe qëndrimin e saj prorus në konfliktin me Ukrainën. Ai nënkuptoi se ka ardhur koha që Serbia të zgjedhë, ose me BE, ose me Putinin.

“Për mua është e qartë, si përfaqësues i lartë dhe për kolegët e mi, se të mbash lidhje të ngushta me regjimin e Putinit nuk është më në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE. Këto të dy gjëra më nuk shkojnë në të njëjtën kohë. Politika e jashtme serbe nuk përputhet me politikën tonë të jashtme. Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Neutraliteti me Rusinë është koncepti i gabuar”, u shpreh ai.

Sipas Borrell, fakti që Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përputhur politikën e jashtme me BE-në i bën këto vende shënjestra të destabilizimit nga Moska.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë