Gazeta Si – “Turqia ka mbështetur gjithmonë politikën e dyerve të hapura të NATO-s edhe para kësaj lufte”.
Këto janë fjalët që tha një ditë më parë ministri i Jashtëm, Mevlut Çavusoglu në Nju Jork pas një takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.
Një dorë e shtrirë që megjithatë sjell me vete kushte. “Ne i kuptojmë shqetësimet e sigurisë të Finlandës dhe Suedisë, – shpjegoi diplomati turk, – por shqetësimet e sigurisë së Turqisë gjithashtu duhet të respektohen”. Shumë e qartë.
Por çfarë dëshiron vërtet të arrijë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan për t’i dhënë dritën jeshile Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n?
Askush nuk e di me të vërtetë dhe në këto orë, thashethemet dhe hipotezat po ndjekin njëra-tjetrën në kryeqytetet e vendeve anëtare.
“Erdogani është i paparashikueshëm, – thotë Gonul Tol, drejtor i programit turk të Institutit të Lindjes së Mesme në Uashington, – por ai është gjithashtu një aktor pragmatik në skenën diplomatike. Gjatë negociatave, ai mund të rrisë “stekën” në maksimum, por më pas përfundon duke pranuar një kompromis në nivel të ulët”.
Një nga shqetësimet turke, ka një histori të gjatë: çështja kurde. Të hënën e kaluar Ankaraja tha se kishte kërkuar ekstradimin nga Suedia dhe Finlanda të 17 anëtarëve të PKK-së, Partisë së Punëtorëve Kurdë të konsideruar si organizatë terroriste gjithashtu nga BE-ja dhe SHBA-ja, dhe të 33 anëtarëve të organizatës së kryesuar nga Fethullah Gylen.
Predikuesi islamik, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe akuzohet nga turqit si organizatori i grushtit të dështuar në korrik 2016.
“Pranimi i këtyre kërkesave, nuk është i mundur për të dyja vendet, – tha për “Guardian” Jonathan Eyal, bashkë-drejtor i ‘thinktank’ Rusi. – Në veçanti Suedia ka një komunitet shumë aktiv kurd që gëzon mbështetje politike”.
Por qëllimi i Erdoganit mund të jetë një tjetër: ripranimi i Turqisë në programin F35, nga i cili u ndërpre për blerjen e sistemit të mbrojtjes ajrore S400 nga rusët.
Një mundësi tjetër është që Erdogan, tregon njohjen ndërkombëtare të marrëveshjes së diskutueshme që vendosi kufijtë detarë midis Libisë dhe Turqisë në një rajon të pasur me gaz natyror.
Një marrëveshje që “justifikon” shpimet e gazit në zona që ndodhen teorikisht në hapësirën detare të Greqisë dhe Qipros.
Nuk është hera e parë që Erdogan i bën presion NATO-s. Ndodhi në vitin 2021, kur Ankaraja i detyroi aleatët e saj të zbutin deklaratën e përbashkët zyrtare të hartuar si kundërpërgjigje ndaj Bjellorusisë që rrëmbeu një aeroplan nga Athina në Vilnius dheqë mbante një disident të ri bjellorus.
Në vitin 2019, ai vonoi zbatimin e planeve të mbrojtjes së Polonisë dhe shteteve Baltike brenda Aleancës, duke këmbëngulur që kurdët sirianë të Njësive të Mbrojtjes së Popullit (YPG), aleatë të amerikanëve në luftën kundër ISIS, të njiheshin si terroristë.
Në vitin 2009 ai kërcënoi se do të bllokonte kandidaturën e Anders Fogh Rasmussen si kreu i NATO-s, për shkak të pozicionit të tij tepër të butë ndaj karikaturave të Profetit Muhamed, të publikuara në Danimarkë në 2005-ën.
Konsiderata e fundit e rëndësishme: Turqia po kalon një krizë të thellë ekonomike, me inflacion që arrin në 70%, qeveria e AKP-së duhet të kompaktojë opinionin publik, veçanërisht në funksion të zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje