Politike

PS rrëzon mocionin e opozitës për deklaratën e Ramës nga Brukseli

Socialistët rrëzuan kërkesën e deputetit të LSI-së, Petrit Vasili për mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama në lidhje me një deklaratë të këtij të fundit dhënë nga Brukseli për çështjen e negociatave dhe të integrimit.

Vasili iu referua një deklarate të Kryeministrit, që gjatë një interviste nga Brukseli nënkuptoi se nëse Shqipëria nuk merr date për hapjen e negociatave në qershor do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut.

“Besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Megjithatë, ne do të dnryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociatat”, deklaronte Rama në atë interviste.

Petrit Vasili e quajti “të turpshme serbo-ruse dhe tradhti të hapur ndaj të ardhmes së vendit” këtë deklaratë.

Përgjigjen e mori nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Shqipëria të ketë të drejtën të kërkojë ndarjen, kjo është në të drejtën tonë. Ne kemi zhvilluar një proces të gjerë konsultimi me shqiptarët më shumë se 550 mijë shqiptarë kanë marrë pjesë në këtë proces”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se Franca po bën të gjithë përgatitjet që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet në qershor, por…”Shqipëria s’mund të jetë dëmi kolateral i një çështjeje ku shqipëria nuk është pjesë fare, shqipëria s’ka pse të merret peng nga debati mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, mbylli ai fjalën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë