Presidenti amerikan, Joe Biden, ka akuzuar homologun e tij rus, Vladimir Putin se po tenton të “eliminojë” Ukrainën dhe ka thënë se lideri rus duhet të paguajë “çmim afatgjatë” për pushtimin e këtij shteti.
Duke folur nga Tokio, Biden ka thënë në një konferencë për media se bombardimet ruse në infrastrukturën civile, sikurse shkollat, teatrot, spitalet dhe muzetë, tregojnë synimin e qartë të Putinit për pushtimin e nisur më 24 shkurt.
“Besoj se ajo që dëshiron Putin është të eliminojë identitetin e Ukrainës”, ka thënë Biden.
“Ai nuk mund ta pushtojë atë, mirëpo mund të tentojë t’ia shkatërrojë identitetin”.
Ukraina ka akuzuar Rusinë se është duke kryer mizori në pushtimin e paprovokuar dhe ka thënë se ka identifikuar më shumë se 10,000 krime të mundshme të luftës.
Rusia e mohon shënjestrimin e civilëve dhe pretendon se të dhënat për mizori që prezanton Ukraina, janë të rreme.
Para nisjes së luftës, të cilën Putin e konsideron “operacion special ushtarak”, lideri rus ka thënë se Ukraina nuk ka qenë kurrë njëmend shtet, dhe ka thënë se Ukraina është pjesë e “historisë, kulturës dhe hapësirës shpirtërore” të Rusisë.
Biden ka thënë se Putin duhet “të paguajë çmim të lartë për barbarizmin e tij në Ukrainë” për t’u siguruar që shtetet tjera nuk marrin hapa të ngjashëm.
Deklarata e tij besohet se ka qenë referencë e drejtpërdrejtë për tensionet në mes të Kinës dhe Tajvanit. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje