Politike

Përplasja për Butrintin, Berisha: Fondi, mashë e Edi Ramës! Kryeministri: Kufijtë e parkut u rishikuan me kërkesë të UNESCO-s

Një ditë pasi Rithemelimi e shpalli kryetar të Partisë Demokratike, Sali Berisha u shfaq me energji të reja në Kuvend, ku u përplas ashpër me Kryeministrin Edi Rama për Butrintin.

Ish-Kryeministri akuzoi Ramën se hoqi nga zonat e mbrojtura sipërfaqe të tëra të parkut, për t’u hapur rrugë ndërtimit të vilave dhe hoteleve, duke përdorur si si mburojë marrëveshjen për menaxhimin e zonës arkeologjike të parkut.

“Çfarë ka bërë Edi Rama në këtë rast? Edi Rama, duke shfrytëzuar një plan menaxhimi të zonës A3, ka nxjerrë jashtë Parkut zonat e tjera dhe ka parashikuar të ndërtojë 620 vila në Kepin e Stillës, ka parashikuar të ndërtojë resorte të mëdha turistike në zonën e Gjirit të Manastirit”, tha Berisha.

Rama iu përgjigj duke deklaruar se rishikimi i hartës së Parkut të Butrintit është bërë me kërkesë të UNESCO-s.

“Ndryshimi i kufijve të parkut ka ardhur si rezultat i hapjes së rrugës për një valë ndërtimesh pa leje në zonën e Ksamilit dhe rishikimi i kufijve të parkut të Butrintit është bërë me kërkesë të UNESCO-s, në mënyrë që të hiqeshin nga zona e parkut të gjitha ato pjesë të kalbëzuara për shkak të ndërtimtarisë masive pa leje, arkitektët dhe urbanistët e të cilës dihet se kush janë në Shqipëri”, deklaroi Kryeministri.

Berisha tha se Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit po shndërrohej në një mashë për aferat korruptive të Edi Ramës.

“Mund t’ju them edhe zotërinjve të Fondit, nuk ju takonte ju të shndërroheshit në një mashë të Edi Ramës, për të kënaqur ambiciet e tij të pafundme korruptive”, deklaroi ish-Kryeministri.

Përgjigja e Ramës nuk vonoi.

“Të fusësh edhe Fondacionin shqiptaro-amerikan, me në krye një njeri të cilit ia keni dhënë ju shtetësinë shqiptare, nuk ia kam dhënë unë, që quhet Michael Granoff, ia keni dhënë ju shtetësinë shqipare, duke e akuzuar si kusar, këtë mund ta bëni vetëm ju sepse Butrintit, Fondacionit, Fondit dhe gjithë këtij plani ju thjesht i merrni të keqen”, replikoi Rama.

Kryeministri këmbënguli se plani për menaxhimin e Butrinit do të vazhdojë përpara dhe për ta përforcuar këtë këmbëngulje solli si shembull disa vepra të tjera të kundërshtuara nga opozita.

“Ashtu do të jeni të mirë mirëseardhur edhe kur të luhet Makbethi në Teatrin e Ri Kombetar. Të miresardhur do të jeni prapë se siç u bë stadiumi do të bëhet dhe Teatri i Ri Kombëtar dhe të gjitha llojet e aleancave që krijoni ju, Aleanca për Teatrin, Aleanca për Butrintin, Aleanca për Stadiumin mbajini me shëndet se nuk i duhen dreqit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë