Konferenca e kryetarëve ku u diskutua për raundin e tretë të votimit për Presidentin e ri nuk pati pritshmëri. Balla propozoi afatin kushtetues 30 majin për votimin e tretë, nuk pranoi formulën e servirur më herët nga Enkelejd Alibeaj dhe i tha se në mungesë të një kandidature prej tij, do të negociojë me dy grupet e tjera parlamentare ndërsa opozita nuk doli me një qëndrim për Presidentin.

” Duke mirëkuptuar keqkuptimin tuaj për çfarë kemi dashur të kuptojmë të gjithë bashkë dhe publiku në bisedimet e zhvilluara unë dua tju them që, t’ju ri përsëris se nuk quhet proces dhe negociatë që unë propozoj 4, ti përzgjedh 2, largon dy dhe mbeten dy. Nuk quhet negociatë kjo. Ky nuk është proces, kjo do të thotë presidentin ta zgjedh unë. Ju doni presidentin e republikës, kurse ne themi ndryshe. 11 kandidatë kam dëgjuar nga mediat, unë mund t’ju them se filan kandidat. Por kjo nuk bëhet në televizor. Nuk kam ndërmend të marr në gojë emra. Të gjithë bëjnë, ose nuk bëjnë. Presidenti apo presidentja duhet të kalojë në një proces të gjerë. Le të kalojmë direkt tek emrat. Nuk do propozojmë kandidatë në datën 30, me shpresën se mund të ndodhë edhe ajo që tha Mediu. Mund të jetë një kandidaturë që përmes vendimmarrjes tonë, as unë dhe as kolegët kemi një strukturë vendimmarrje. Do i themi na kanë ardhur këto kandidaturë, ti shohim pak. Pastaj do vijmë prapë tek ju. Unë ende besoj dhe shpresoj që të takohemi, t’i lëmë këto formulat.
Mbështetja me firmë është se në rast se do të jetë një kandidaturë që do të vijë nga ju është në meritën dhe në drejtësinë e këtij procesi që të mbështetet. Në rast se do biem dakord edhe ne zotimi im si kryetar grupi është që 74 deputetet e PS ta mbështesin. Do jetë një kandidat që do ketë 94 vota. Kjo i jep kredibilitetin e duhur procesin. Nëse ju e keni vënë kusht të panegociueshëm formulën 4-2-1 le ti japim përgjigje publikut dhe apeli im është për dy grupet e tjera parlamentare që të negociojmë një listë emrash. Kemi plot mundësi që të zgjedhim një president përtej 84 votave”, tha Balla.

Por Enkelejd Alibeaj këmbënguli se mazhoranca nuk e do konsensusin me opozitën.
“Procesi domosdoshmërisht duhet të ketë sintetizim të të gjitha kërkesave, nevojave, shijeve të opozitës, por nuk është kjo thelbësorja, thelbësorja është edhe qëndrimi i palës tjetër, që nuk ka legjitimitet të zgjedhë e vetme një president. Ata nuk duan një president të republikës, por një president të tyre. Ramë dakord për një president të qartë të shkruar të thënë para mediave, ku opozita të mos ishte thjesht dhe vetëm mbushëse topi, por një palë në një proces serioz. U tërhoqën sepse e kanë të përcaktuar që duan të shkojnë te raundi i katërt. Nuk i qëndrojnë fjalës, dakordësisë. Nuk është fjala sa solide është opozita. Në këtë proces futemi si një detyrim kushtetues, politik, për qytetarët, C’kishim për ti dhënë i dhamë. Zgjedhja e presidentit nuk është një proces për të treguar sesa solide është një palë. Ne marrim pjesë në këtë proces, por farsë nuk bëhemi në sytë e shqiptarëve”, tha Alibeaj.
Në anën tjetër kryerepublikani Fatmir Mediu u shfaq me konkret, duke parë problemin fillimisht brenda opozitës dhe më pas në raport me mazhorancën.
“Nuk ka kohë as për 8 as për 10 kandidatë, të gjejmë një kompromis, ajo që e bën të mundshme është të dëgjojmë njëri tjetrin, duhet të kishim çuar dje një kandidaturë, dhe duhet të çojmë në raundin e tretë një kandidat, para se të kërkojmë përgjegjësi te pala tjetër, duhet ta kërkojmë te vetja, kemi në dorë një element kushtetues, le ta dëgjojmë njëherë brenda vetes dhe të përpiqemi të gjejmë një konsensus me maxhorancën brenda një kohe të shkurtër. Më vjen keq që i them këto gjëra publikisht, por kjo ka mbetur e vetmja formë për të folur duhet të dalim me një kandidaturë”, tha Mediu.
Edhe Mesila Doda nënvizoi se nuk është koha për ora dhe data, por duhet të ketë propozime konkrete.
Në fund të konferencës u vendos që votimi të bëhet më 30 maj, afati i fundit për votimin e një Presidenti me shumicë të cilësuar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje