Politike

400 kandidatë për 61 degë, PS shtyn afatin për kryetarët në rrethe: Kemi fluks emrash

Afati për zgjedhjet për kryetarët e 61 degëve të Partisë Socialiste është shtyrë deri më 31 maj. Në njoftimin e PS thuhet se deri ditën e martë janë administruar mbi 400 emra, ndërsa afati i përcaktuar skadonte sot.

“Në zbatim të vendimeve të Kongresit, Asamblesë Kombëtare dhe Kryesisë për fushatën e zgjedhjeve të brendshme për kryetarët e 61 degëve të partisë në bashki, deri ditën e djeshme janë administruar mbi 400 emra si kërkesa për vetkandidim dhe propozime nga Këshillat Socialiste në territor.

Në kushtet kur afati i përcaktuar skadon sot, marrë në konsideratë interesi i lartë për pjesëmarrje në këtë proces, Sekretariati Ekzekutiv i Partisë Socialiste ka vendosur shtyrjen e afatit të aplikimeve dhe propozimeve deri në datën 31 Maj”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas PS, kjo periudhë shtesë do të shërbejë jo vetëm për administrimin e kandidaturave të reja por edhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm nga kandidaturat e deritanishme.

“Çdo kandidaturë duhet të ketë si dokumentacion shoqërues një CV, kërkesën për kandidim dhe formularin e vetdeklarimit për garantimin e integritetin ligjor. Platforma e kandidimit është një material i cili do të prezantohet para asamblesë së bashkisë përkatëse vetëm nga kandidatët të cilët kualifikohen për fazën finale të garës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë