Konferenca e kryetarëve ka caktuar 30 majin si datën e mbajtjes së raundit të tretë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri. Data është edhe mundësia e fundit e opozitës që të dorëzojë një emër me shpresën se do të miratohet nga mazhoranca socialiste.
Megjithatë, deputetët e PD-sënuk kanë rënë dakord për asnjë emër dhe në përpjekje për të mos e djegur as mundësinë e fundit, kreu i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj ka thirrur këtë të enjte mbledhjen e grupit parlamentar.
Por, me Rithemelimin që nuk e njeh Alibeajn si kryetar grupi dhe që thotë se nuk është i mandatuar për t’u përfshirë në negociatat për Presidentin mbetet për t’u parë pjesëmarrja e deputetëve në këtë mbledhje.
Në mbledhjen e fundit që thirri Alibeaj, para votimit për raundin e dytë morën pjesë 26 deputetë nga 44 që ka në total grupi parlamentar i PD-së. Në atë mbledhje u propozuan disa emra, por asnjëri siç duket nuk mori 20 firma nga deputetët.
Socialistët nga ana tjetër kanë deklaruar se do t’i qëndrojnë marrëveshjes së arritur me Alibeajn dhe do të presin emra për në raundin e tretë. Por, PS ka përjashtuar që të mbështesë me firmat e deputetëve të vet propozimet e opozitës dhe ka deklaruar se pas raundit të tretë do ta zgjedhë vetë Presidentin me shumicë të thjeshtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje