Bota

Vritet një tjetër komandant rus në Ukrainë. Kievi: Shkatërruam 30% të tankeve

Gazeta Si – Komandanti i batalionit ajror të Rusisë është vrarë. Lajmin e bëjnë të ditur forcat ukrainase të cilat lajmëruan se kanë eliminuar komandantin e batalionit të regjimentit të 104-të.

Bëhet fjalë për nënkolonelin Alexander Dosyagaev. Sipas njoftimeve të agjencisë “Ukrinform”, njoftimi është bërë nga Departamenti i Komunikimeve Strategjike të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Disa ditë më parë, Ukraina njoftoi po ashtu se kishte eliminuar komandantin e Ushtrisë së Kombinuara të Armëve të 49-ës, Yakov Ryezantsev.

Sipas këshilltarit presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych, gjenerali rus u vra në frontin e luftë në Kherson.

Një numër i lartë ushtarësh të gradave të larta rusë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, që prej nisjes së luftës, 24 shkurt.

Ndërkohë, forcat ukrainase kanë shkatërruar më shumë se 30% të tankeve moderne ruse që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.

Këshilltari i ministrit të Brendshëm ukrainas, Viktor Andrusiv, në një intervistë me “Canale 24”, tha se, “para luftës kundër Ukrainës, Rusia kishte rreth 3 mijë tanke moderne dhe mbi 30% e tyre u shkatërruan nga mbrojtësit tanë në tre muaj luftë. Në gjashtë muaj kjo shifër vetëm do të rritet”, – shtoi Andrusiv, duke konfirmuar se Moska u detyrua të rifuste në shërbim tanket e vjetra T-62 të projektuara nga sovjetikët, që datojnë në vitet 1970.

Sakaq, inteligjenca britanike, në përditësimin e saj të fundit të situatës, shkroi se “përpjekja e Rusisë për të marrë një ulje të ashpërsisë së sanksioneve ndërkombëtare, nxjerr në pah peshën e vendosur nga vetë sanksionet ndaj regjimit”.

Vëzhgimi i inteligjencës ushtarake britanike vjen pas lëvizjeve të fundit diplomatike të Moskës, ose kërkesat për lehtësimin e sanksioneve në këmbim të një korridor humanitar nëpër të cilin mund të kalojnë anijet e ngarkuara me grurë ukrainas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë