Gazeta Si – Jeta e Boris Bondarev ndryshoi brenda natës. Që nga e hëna e kaluar, diplomati që shërben në misionin rus në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, i ka kthyer shpinën vendit të tij, duke dhënë dorëheqjen nga karriera e tij.
Ai është zyrtari i parë i lartë i Federatës Ruse që ka bërë refuzimin e madh, duke lënë postin në shenjë proteste kundër luftës në Ukrainë.
“Nuk kam pasur kurrë aq turp për vendin tim sa më 24 shkurt”, deklaroi ai në emailin dërguar kolegëve të trupit diplomatik, duke akuzuar Vladimir Putinin se “e ka shndërruar vendin në një tmerr total dhe një kërcënim për të gjithë botën”.
Që nga ai moment, të gjitha kontaktet me përfaqësinë ruse në OKB janë ndërprerë.
Edhe Kremlini, dukshëm i zënë ngushtë, mbajti një profil të ulët: “Mund të themi vetëm se zoti Bondarev nuk është më njëri prej nesh, përkundrazi ai është kundër nesh”, – tha në mënyrë lakonike zëdhënësi Dmitry Peskov, sipas të cilit diplomati, “u shpreh kundër opinionit dominues të vendit tonë”.
Bondarev tani ka frikë. “Deklaratat e mia konsiderohen si krim në Rusi dhe një çështje penale është e sigurt”, tha ai për “Süddeutsche Zeitung”, duke pranuar se ka frikë për sigurinë e tij, familjes, të afërmve dhe miqve në Rusi.
Por tentakulat e gjata të Kremlinit e bëjnë atë më të frikësuar nga një dënim në mungesë, i cili vitet e fundit nuk ka hezituar të godasë disidentët dhe kundërshtarët edhe jashtë vendit.
Autoritetet zvicerane tashmë e kanë vënë nën mbrojtje dhe diplomati po shqyrton një kërkesë për azil në Federatën Zvicerane.
“Atë që bëra, e bëra për ndërgjegjen time. Doja të lëvizja diçka, të jem frymëzim për kolegët e mi, për diplomatët dhe bashkatdhetarët e tjerë, që jetojnë në Rusi dhe mendojnë se nuk mund të bëjnë asgjë”.
Por cila është shenja e rebelimit spektakolar të Bondarevit? A është kjo maja e ajsbergut të pakënaqësisë në rritje me politikën e luftës të Vladimir Putin?
A po rritet një embrion rezistence në Kremlin në Rusi, mes elitave edhe para njerëzve?
Kritika publike për të ashtuquajturin “operacion special ushtarak”, u nis që në fillim, veçanërisht nga ata që e bënë të parët të sigurt duke u larguar nga vendi.
Këtu përfshihen oligarku Oleg Tinkov, artistë si prima balerina e Teatrit Bolshoi, Olga Smirnova, gazetarja Marina Ovsyannikova, e cila valëviti një pankartë kundër luftës dhe propagandës në televizioni direkt.
Një mospajtim i heshtur dhe elokuent, ishte ai i Anatolij Chubais, ish-zëvendëskryeministri, protagonist kontrovers i privatizimit të egër të epokës së Jelcinit, i cili dha dorëheqjen si i dërguari i Putinit për klimën, duke u larguar nga Rusia, por pa thënë asnjë fjalë.
Rasti “Bondarev”, megjithatë, shënon një hap cilësor në rezistencën ndaj Carit. Së pari, sepse mohon siguritë e Sergej Lavrov, ministrit të Jashtëm, sipas të cilit “nuk ka tradhtarë mes diplomatëve”.
Në fakt, sipas gazetës “Kommersant”, dhjetëra diplomatë kanë lënë karrierën e tyre që nga fillimi i pushtimit, megjithëse asnjëri prej tyre nuk guxoi të thoshte se e bëri këtë në shenjë proteste kundër luftës.
Por ka shumë më tepër. Sipas burimeve perëndimore me kontakte të mira në botën e diplomacisë ruse, “mbi njëqind zyrtarë do të ishin gati të përsërisnin gjestin e Bondarev”.
Dhe kjo gjë e shqetëson aq shumë Kremlinin, sa sekretari i Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev, së fundi i paraqiti një raport Vladimir Putinit, në të cilin ministria e drejtuar nga Lavrov përkufizohet si “një shtëpi me letra e ndërtuar mbi rërë”.
Raporti do të përmendte emrat dhe mbiemrat e më shumë se njëqind diplomatëve “tradhtarë”, duke komentuar situatat e secilit prej tyre.
Presidenti rus do të ishte shumë i shqetësuar për situatën, sepse një eksod masiv do të jepte jashtë një “sinjal shkatërrues për imazhin ndërkombëtar të Rusisë”, si dhe do të kishte “pasoja të rënda edhe në axhendën e brendshme politike”.
Problemi është se aktualisht nuk ka zgjidhje të lehta. Një spastrim në diplomaci, siç rekomandon me sa duket Patrushev, rrezikon të jetë kundërproduktiv dhe Putini e kupton këtë.
Lavrov aktualisht nuk po rrezikon, megjithëse ata që e takuan së fundmi e përkufizojnë atë si të lodhur.
Gjatë dy viteve të fundit, të paktën pesë herë ministri i Jashtëm i ka kërkuar Putinit leje për t’u larguar, duke marrë çdo përgjegjësi.
Ndoshta presidenti rus mendon se vetëm ai është në gjendje të mbajë jashtë trupin diplomatik, tashmë të integruar në makinën propagandistike ruse.
Një detyrë që çështja Bondarev dhe ajo e qindra diplomatëve në rrezik largimi, e kanë ndaluar të bëjë çdo hap para.
Sipas portalit opozitar “Meduza”, një valë pesimizmi po kalon në elitën ruse në këtë fazë, të kuptuar si përfaqësues të ekonomisë dhe qeveritarë, të cilët nuk prisnin sanksione kaq të mëdha dhe të ashpra nga Perëndimi.
Sipas këtyre qarqeve, edhe tani “nuk mund të jetohet më normalisht” dhe situata është e destinuar të përkeqësohet në verë. Dhe “smutnoe vremya”, kohët e telasheve, nuk u kanë sjellë kurrë të mira Carëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje