Gazeta Si – Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e vendos veten përsëri në qendër të përpjekjeve diplomatike për të arritur një armëpushim në Ukrainë.
Ditën e hënë, 30 maj 2022, Erdogan synon të telefonojë presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Voldymyr Zelensky.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi një bisedë telefonike mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kreut të shtetit turk.
Ndërkohë, Erdogan konfirmoi opinionin e tij negativ për hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Udhëheqësi turk foli me gazetarët gjatë fluturimit të kthimit nga Baku, Azerbajxhan.
“Për sa kohë që unë jam kreu i Republikës së Turqisë, ne nuk do t’i themi “po” anëtarësimit në NATO të vendeve që mbështesin terrorizmin”, – tha ai, cituar nga agjencia “Anadolu”.
Duke shpjeguar se takimet e javës së kaluar me dy delegacionet “nuk ishin në nivelin që prisja” dhe se të dy vendet “mbështesin terrorizmin”, ai theksoi se “ata nuk janë as të ndershëm, as të sinqertë”.
Dhe sa i përket bisedimeve të fundit trepalëshe me dy shtetet skandinave, “për fat të keq, ato nuk rezultuan në nivelin e pritur”.
Erdogan ka qenë i kujdesshëm në lidhje me zhvillimin e një dialogu midis Moskës dhe Kievit.
“Ne ëndërrojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, por duket se ngjarjet po zhvillohen negativisht çdo ditë që kalon”, tha Erdogan në një intervistë për kanalin NTV, siç raporton Tass.
Duke shpallur gatishmërinë e tij për të telefonuar Putinin dhe Zelenskyn në orët e ardhshme, Erdogan shtoi se Turqia do të vazhdojë t’u kërkojë palëve ndërluftuese që “të përdorin të gjitha kanalet e dialogut dhe diplomacisë”.
Prej ditësh Zelensky ka përsëritur se dëshiron të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus, sepse “është i vetmi që vendos, në Rusi”.
Kërkesa për bisedime “serioze dhe të drejtpërdrejta” u paraqit të shtunën nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë një telefonate me Putin.
Presidenti rus deri më tani e ka hedhur poshtë këtë hipotezë, duke përsëritur se “nuk është koha” për një samit të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje