Politike

E miratoi te Ligjet, por e refuzon në seancë. PS: Simon Miraka të risjellë kandidaturën për te Dosjet pa firmën e Berishës

Partia Socialiste i qëndron premtimit për të refuzuar në Kuvend çdo propozim, emërim, apo votim që gëzon mbështetjen dhe firmën e Sali Berishës.

Premtimi u testua në seancën e kësaj të hëne, kur në Kuvend është depozituar kërkesa e një grupi deputetësh për të emëruar anëtar të Autoritetit të Dosjeve, Simon Mirakën.

Mes firmëtarëve është edhe Sali Berisha. Socialistët e miratuan në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve kandidaturën e Mirakës për të rizgjedhur në këtë post Mirakën, deri kur deputeti i PD, Gazment Bardhi i akuzoi për hipokrizi.

“Ja çfarë përfaqësoni ju, është kandidat i Berishës”, tha Bardhi në atë mbledhje.

Vota në Komision jo domosdoshmërisht përkthehet në votë në seancë plenare. Për këtë arsye, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërkoi që Simon Miraka të paraqiste edhe njëherë tjetër kandidaturën, pa firmën e Berishës.

“Ne nuk kemi asgje kundër zotit Miraka personalisht, por propozimi me 28 firma deputetësh ishte depozituar katran me bojë. Le të pastrohet propozimi nga boja e katranit dhe më pas të rivijë i pastër, sepse të kesh sot mbështetjen e Saliut është sot njësoj si të kishe dikur mbështetjen e Sigurimit të Shtetit, dy kategori anti-amerikane me të njëjtin ves të keq kundër demokracisë”, deklaroi Taulant Balla.

Komisioni i Ligjeve miratoi në mbledhjen e 27 majit katër emra si kandidatë për Autoritetin e Dosjeve. Ata janë Altin Hoxha, Gentiana Sula, Simon Miraka dhe Albert Nikolla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë