Politike

Vasili: Rama do të çojë një tradhtar(e) në Presidencë, që të shesë kufijtë detarë

Pas djegies së tre raundeve të para të zgjedhjes së presidentit pa asnjë emër, mazhoranca do të shkojë e vetme drejt një emri për kreun e ri të shtetit në raundin e katërt dhe të pestë edhe pse Taulant Balla la të hapur mundësinë e negocimit me një pjesë të opozitës, por pa Berishën.

Ndërsa pasuesi i Metës mund të zgjidhet brenda 6 qershorit, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili komenton në Facebook se kryeministri “Rama do të çojë një tradhtar(e) në Presidencë, që të shesë kufijtë detarë”

“Sot tradhtia konsumoi ne parlament gjoja raundin e tretë të zgjedhjes se presidentit pa kandidate në vijim të farsës së tradhtisë.

Qëllimi i histerisë së Ramës për shkarkimin e Presidentit Meta është tashme shumë i qartë e në dritën e diellit dhe ishte vetëm e vetëm shitja e kufirit detar.

Të gjithëve Rama ju duk arrogant dhe psiqikisht jo stabël, por jo nuk është as njëra dhe as tjetra Rama është qartësisht një tradhtar i mirëkalkuluar në qëllimet dhe përfitimet e tij të errëta.

Ministri jashtëm grek Dendias nxori sheshit gjithçka kur tha:

‘Ai ra dakord me ne që të shkojmë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk është bërë ende pasi presidenti nuk i jep autoritetin përkatës kryeministrit. President padyshim do të zgjidhet një tjetër në Shqipëri në dy- tre muajt e ardhshëm.

Pra, e gjithë kjo atëherë është e realizueshme’.

Pas pak ditësh Rama do të zgjedhë gjymtyrën dhe instrumentin qorr, që ja realizon qëllimet e tij të zeza tradhtare në presidencë…

Ramën e gënjen kot mendja sepse kufijtë detarë të Shqipërisë nuk shiten kurrë se i përkasin popullit që i ka mbrojtur me gjak dhe do t’i mbrojë përsëri deri në fund”, shkruan Vasili


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë