Politike

Konflikti brenda partisë, PD i hiqet e drejta e votës për organet drejtuese të PPE

Në vizitën e tij të fundit në Tiranë, eurodeputeti David McAllister u kujdes të sqaronte për mediat se ai nuk ishte i ftuar si zv-President i PPE kur u pyet nëse e njihte Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.

McAllister orientoi median të ndiqte zhvillimet e PPE të fund majit për këtë çështje, që po mbahet në Roterdam të Holandës. Rezultati?

Konflikti brenda PD-së është reflektuar edhe në konjukturat e larta të PPE-së ku PD si asnjë vit qysh prej aderimit të saj në këtë organizatë do të përfaqësohet me zero delegat në votimin për Presidentin Manfred Weber ( i vetmi kandidat në këtë detyrë) dhe 11 kandidatëve për zv-president ndër ta David MacAllister dhe Johannes Hann.

Delegatet e ftuar per zgjedhjen e organeve drejtuese te PPE

Në listën e delegatëve të publikuar nga PPE Shqipëria rezulton me zero delegat e për pasojë me asnjë të drejtë vote edhe pse aty do të marrin pjesë Jorida Tabaku si e ftuar e Asamblesë së Këshillit të Europës, Albana Vokshi si kryetare e Lidhjes se Gruas dhe Belind Këlliçi si kryetar i FRPD.

Jo zyrtarisht, nga PD e “Alibeajt” u përcoll lajmi se Tabaku do të kishte të drejtën e votës për organet drejtuese.

Tabela e publikuar nga PPE tregon të kundërtën. Dhe jo vetëm.

Partia Demokratike  është përjashtuar nga e drejta për të votuar duke e çuar këtë forcë politike në kuotat më të ulëta të bashkëpunimit me organizatën më të madhe politike të partive europiane të qendrës dhe qendrës së djathtë

Kur Sali Berisha u pyet më herët se pse nuk ishte përshëndetur zgjedhja e tij nga PPE, ai iu spërdrodh përgjigjes duke e konsideruar “bojkotin” e urimeve si proces normal.

Megjithatë ai siguroi se “Rithemelimi” do të ishte i pranishëm në forumin e PPE

Prania e “Rithemelimit” përmes Këlliçit dhe Vokshit është fakt, por jo zëri i tyre.

“…PPE për të qenë neutrale dhe për të mos bërë ndonjë gabim për tu përfshirë në debat të brendshëm në PD ka vendosur që deri në momentin që të ketë një vendim final nga gjykata të jetë i tërhequr. Ua konfirmoj. Ndaj kanë vendosur të mos kenë një ftesë zyrtarisht për PD, por PD patjetër do të jetë e përfaqësuar qoftë me Forumin Rinor, Lidhjen e Gruas, Këshillin e Europës dhe të gjithë…”, tha Belind Këlliçi

PPE ashtu si edhe një pjesë e mirë e ndërkombëtarëve evropiane ka preferuar të ruajë neutralitetin duke ‘pezulluar’ marrëdhëniet me këtë forcë politike dhe duke e gjetur zgjidhjen në vijim jo tek lidhjet e vjetra, konjukturat, shpjegimet politike boshe apo mbështetjet personale, por tek gjykata

Pavarësisht takimeve që do të zhvillojë secila palë dhe mënyrës se si do ta interpretojnë këtë vizitë, PD me 31 maj do të jetë figurante në familjen më të madhe politike dhe më me ndikim europian  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë