Politike

Meta reagon pas deklaratave të Dendias: Nuk kam kërkesë nga Rama për Hagën

Gazeta Si – Me anë të një konference për shtyp, Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas deklaratave të Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, në lidhje me çështjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Dendias tha për mediat greke se presidenti shqiptar nuk kishte dhënë dakordësi për të çuar çështjen në fjalë në Hagë.

Meta ka theksuar se nuk ka pasur vullnet nga kryeministri Edi Rama për çështjen e detit: “Më 23 maj, ministri grek i Punëve të Jashtme, Dendias, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua ministren e Jashtme shqiptare dhe kryeministrin.

Dua të sqaroj se nga pala greke, apo nga Ministria jonë e Jashtme, nuk është kërkuar realizimi i asnjë takimi të Ministrit Dendias me Presidentin. Pas vizitës në Tiranë, Dendias ka thënë se ‘u ra dakord për të çuar çështjen e detit në Hagë’.

Kjo nuk ka ndodhur, sepse Presidenti nuk ka dhënë dakordësi. Do jetë e realizueshme, kur Shqipëria të zgjedhë Presidentin e ri” – është shprehur Meta.

Ministri i Jashtem i Greqise, Nikos Dendias, ne takimin me kryeministrin Edi Rama. Gazeta Si, 30 maj 2022

“Dua të sqaroj se ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka paraqitur kërkesën për nisjen e negociatave me Greqinë për kufizimin e zonave të tyre detare. Presidenti konstatoi një mori problematikash, që duheshin ndrequr në këtë kërkesë.

Pas informacionit shtesë nga ministri i Jashtëm, Presidenti autorizoi ministrin e Jashtëm të Shqipërisë të lëshojë plotëfuqinë për grupin negociator të Shqipërisë për negocimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Vetëm presidenti është autorizuar për të dialoguar me palën greke. Janë zhvilluar 3 raunde negociatash. Presidenti është vënë në dijeni për disa problematika dhe shqetësime serioze.

Për të diskutuar mbi ecurinë e procesit negociator është realizuar një takim, ku u ra dakord që kryeministri t’i udhëhiqte personalisht negociatat me shtetin grek. Për këtë do të paraqiste një kërkesë te presidenti.

Presidenti konstatoi se kryeministri nuk po u përmbahej zotimeve dhe nuk po ndërmerrte asnjë hap. Rikërkoi ndërhyrjen e kryeministrit pa vonesë dhe këto negociata të udhëhiqeshin nga niveli i lartë. Asnjë kërkesë për autorizim nuk u paraqit.

Në mungesë të vullnetit, presidenti duke i qëndruar konstatimeve të mëparshme, i rikërkoj kryeministrit ndërhyrjen e tij që negociatat të udhëhiqeshin nga niveli më i lartë, duke marrë drejtimin e këtij procesi.
Për këtë kërkesë të presidentit nuk pati asnjë reagim dhe kryeministri që mbajti dhe detyrën e ministrit të Jashtëm dhe nuk parashtroi asnjë kërkesë për autorizim”, – shtoi Meta.

Presidenti sqaroi se “çështja e zonave detare është e hapur dhe duhet të zgjidhet në përputhje me kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare, në interes të plotë të ruajtjes integritetit territorial”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë