Politike

Institucionet ‘harrojnë’ dekriminalizimin. S’ka transparencë për formularët dhe as verifikime të thelluara

Ligji i dekriminalizimit nuk kërkon hetim dhe verifikim të thelluar për vërtetësinë e të dhënave që paraqesin drejtuesit e institucioneve publike e shtetërore në formularin e vetëdeklarimit.

Verifikimi i thelluar kryhet në rastet kur kërkohet sipas parashikimeve të ligjit, që janë jo më pak se 10 deputetë, një parti politike, apo mbi 500 qytetarë me të drejt vote.

Por, megjithëse verifikimi i thelluar nuk është i detyrueshëm për të gjitha rastet e emërimeve, apo të të zgjedhurve në poste drejtuese të institucioneve publike e shtetërore, transparenca është.

Pikërisht transparenca është ajo që po shkelet nga institucionet. Sipas një monitorimit të Institutit të Studimeve Politike, rezulton se mbi 90 për qind e rasteve dhe institucioneve nuk publikojnë të dhëna mbi formularët e dekriminalizimit.

E thënë më thjesht, mospublikimi i këtyre formularëve minimizon e shmang mundësinë që subjektet e parashikuara në ligj për të kërkuar verifikim të thelluar në Prokurorinë e Përgjithshme ta kërkojnë një gjë të tillë. ISP thotë se kjo devijon pritshmëritë dhe nevojën jetike të vendit për politikë, politikanë, zyrtarë dhe vendimmarrje të pastër dhe me integritet.

Numri i rasteve ku është kërkuar verifikim i thelluar për dekriminalizimin. Burimi Instituti i Studimeve Politike

Nga ana tjetër, subjektet nuk po ushtrojnë pothuajse fare as të drejtën që u jep ligji për të kërkuar marrjen e formularit të vetëdeklarimit të një zyrtari. Ligji thotë se kjo kërkesë nuk mund të refuzohet, apo kufizohet në asnjë rast dhe se refuzimi, apo kufizimi i saj përbën vepër penale.

Për këto arsye, ISP ngre shqetësimin se institucionet po devijojnë nga parimet e dekriminalizimit, mungon transparenca dhe janë shtuar praktikat abuzive që pamundësojnë zbatimin e ligjit.

“Çdo institucion përgjegjës duhet të bëjë publike formularët e dekriminalizimit për çdo zyrtar të zgjedhur dhe të emëruar (sidomos ata që vijnë nga procese dhe procedura konkurruese) dhe në rast të të dhënave kritike nga media, publiku, personat përgjegjës të verifikimit paraprak, etj, duhet të kërkojnë hetim të thelluar nga seksioni përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme”, thotë ISP.

Të dhënat nga Prokuroria tregojnë se rastet e hetimit të thelluar janë minimale në raport me ndjeshmërinë, denoncimet dhe gjendjen faktike në institucione. Si shembull, për mijëra zyrtarë në institucionet universitare, akademike dhe të kërkimit shkencor ka vetëm një kërkesë për verifikim.

I njëjti fenomen vërehet edhe te Kuvendi, Presidenti, qeveria, ministritë dhe institucionet e tjera në varësi të ekzekutivit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë