Politike

Fotot/ Lamtumira e ish-Presidentit Bujar Nishani, ‘nderon’ politika (PD e ndarë edhe në mort)

E enjtja e 2 qershorit ishte Ditë Zie kombëtare në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në Gjermani, pas një sëmundje të rëndë.

Ceremonia zyrtare e homazheve vijoi ditën e dytë në mjediset e Presidencës.

Kreu i shtetit Ilir Meta i shoqëruar nga vajza e tij e madhe ishte i pari që hapi siparin e homazheve.

Më pas homazhe zhvilluan Sali Berisha me bashkëshorten, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjithë deputetët e Rithemelimit.

Më vonë mberriti Enkelejd Alibeaj që la një shënim të gjatë në librin e kujtimeve, i shoqëruar nga Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj. Veçmas nderoi figurën e Nishanit, Grida Duma, për të vijuar me Ervin Salianjin e më pas (ndryshe nga PD) në bllok bashkë anëtarë të kabinetit qeveritar kryesuar nga Ogerta Manastirliu, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla për të vijuar me kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla e deputete të tjerë të mazhorancës.

Në nderim të figurës së tij kryen homazhe në bllok edhe gjithë presidentet e periudhës se pluralizmit dhe ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Po ashtu edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ne ceremonine e homazheve mori pjesë edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit do të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022.

Trupi i ish-presidentit u shoqërua në këmbë nga një kortezh mortor deri te Ura e Lanës e më pas u përcoll për në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit, Berisha lartësoi figurën e Bujar Nishanit.

“Do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi. Do kesh gjithmonë mirënjohjen dhe do jetosh përherë në kujtesën tonë. Dua të shpreh një falenderim për familjen tënde, për ata që bënë gjithçka që ti mos të niseshe në këtë rrugë pa kthim. U prefsh në paqe miku ynë i dashur”, tha i përlotur Berisha.

Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017, ndërsa bëhet presidenti më i ri në moshë që ka ndërruar jetë në Shqipëri.

Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi që nuk arriti t’i mbijetojë pasojave që i la COVID-19 i prekur rreth dy muaj më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë