Politike

PS reziston për emrin e Presidentit, Balla: Nuk jam i autorizuar! Prisni edhe pak orë

Kryeministri Edi Rama përfundoi qëndrimin në Nju Jork, ku mori pjesë në një sërë aktivitetesh të organizuara me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Sigurimit nga Shqipëria. Me t’u rikthyer në vend, ai do të drejtojë mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Mbledhja është thirrur për në orën 17:00 Kryesinë, ku në rend të ditës janë parashikuar diskutimet për pesë pika, ndërsa formalisht pritet që debati të përqëndrohet rreth pikës së katërt që ka të bëjë me emrin e Presidentit të ri të vendit.

Socialistët thonë se kanë gati një listë të reduktuar me kandidatë. Lista, sipas burimeve të Gazetës Si përbëhet nga 10 emra. Megjithatë, as kreu i grupit parlamentar të partisë dhe as deputetët dhe anëtarët e kryesisë nuk janë të autorizuar që të flasin për emra në publik.

“Për emra duhet të prisni edhe për pak orë. Maksimumi në orën 12:00 të së shtunës do të kemi një emër”, deklaroi paraditen e së premtes nga Fieri, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Balla nuk përjashtoi asnjë prej emrave që qarkullojnë, që nga Fatos Nano, Gramoz Ruçi, e deri te Majlinda Bregu, ndërsa mbylljen hermetike në këtë drejtim e justifikoi me bindjen e socialistëve për të mos cenuar besueshmërinë e procesit.

Emri i Presidentit, apo Presidentes së re me siguri do të vendoset në mbledhjen e Kryesisë pasditen e së premtes dhe vuloset në mbledhjen e grupit parlamentar, të caktuar për në orën 10:00 të së shtunës, ndërsa në orën 16:00 është thirrur mbledhja e Komisionit të Ligjeve për verifikimin e kandidaturës dhe në 18 votimi në seancën e parashikuar nga Kushtetuta pa debat.

Burime të Gazetës Si deklarojnë se socialistët do të çojnë vetëm një emër për votim dhe synojnë që emri që do të përzgjidhet të marrë firmat mbështetëse të 74 deputetëve para se të kalojë për votim në seancë.

Pse do të shkohet vetëm me një emër? PS synon që ta mbyllë kapitullin e Presidentit të ri në raundin e katërt, pa rrezikuar që ta çojë atë në raund të fundit. Burimet thonë se paraqitja në seancë të dy, ose më shumë kandidaturave mund të krijojë çarje dhe rrjedhje të votave dhe rrjedhimisht asnjëri prej kandidatëve të mos kapë shumicën prej 71 votash që nevojiten për t’u zgjedhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë