Politike

Paradoksi me firmat për Presidentin e ri, Lindita Nikolla i dërgon kërkesë vetes  

Kuvendi po zgjedh Presidentin e ri të Republikës.

Ky është një akt me rëndësi kushtetuese dhe politike për Shqipërinë. Instituti i Studimeve Politike thotë se po monitoron Kuvendin dhe praktikat zgjedhore jane komponente thelbesore monitorimi e vleresimi.

“Ne rastin konkret, vullneti politik është i qartë, por procesi kushtetues kërkon gjithashtu edhe solemnitet në përmbajtje dhe në aspektin procedural.

Duke parë dokumentin iniciues parlamentar rezulton se akti kushtetues i mbledhjes së nënshkrimeve drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ndonëse nis me shprehjen standarde “e nderuara zonja kryetare e Kuvendit” vijon me nënshkrimet, ku vetë “e nderuara zonja kryetare e Kuvendit” është firmë e tretë!”, thotë ISP.

Mazhoranca i ka firmat e nevojshme, vendimmarrja është tashmë procedurë, ndaj thjesht ka luksin të zgjedhë cilët deputetë do të nënshkruanin formalisht aktin.

“Një person politik dhe institucional nuk mund t’i drejtojë kërkesë vetvetes, sidomos në një akt të tillë me vlerë kushtetuese e gjurmë referuese për memorien historike dhe institucionale, ndaj ky paradoks etik e protokollar mund / duhej të evitohej. Për të shkuar akoma më tej, e njëjta gjë mund të thuhej edhe për nevojën e përzgjedhjes cilësore, evitimit të firmave nënshkruese nga deputetë që janë pjesë direkte/indirekte të listave non grata apo penalizimeve të njohura nga partnerët strategjikë, SHBA dhe BE”, thotë ISP.

Një rekomandim edhe për Kuvendin në këtë ditë që do të kemi presidentin e ri.

“Juristët që këshillojnë praktikën në raste të tillë, këshilltarët e grupit dhe të Kuvendit që hartojnë dokumentet dhe politikanët që ende kanë njohuri mbi shtetin dhe praktikat e mira institucionale, do të duhet të këshillonin eprorët e tyre dhe të evitonin dokumente të tilla, duke menduar edhe për solemnitetin dhe seriozitetin e procesit, vendimmarrjes dhe aktit kushtetues me vlerë historike”, thotë ISP.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë