Komisioni I Ligjeve reflektoi qëndrimet e secilës palë për Presidentin kur miratoi vetëm me votat e mazhorancës raportin për zgjedhjen e Bajram Begajt në krye të Presidencës.
Në mbledhjen e Komisionit te Ligjeve që nuk zgjati as një orë, i vetmi nga PD-ja ishte Oerd Bylykbashi që deklaroi votën kundër me argumentin se një ushtarak aktiv nuk mund të zgjidhet President, se nuk kishin dosjen e plotë për figurën e tij dhe se në mënyrë që të vërtetohej ose hidhej poshtë për shembull pretendimi se për një periudhë të caktuar, zoti Begaj kishte qenë pjesë e Ministrisë së Brendshme.
“Na mungon një CV e detajuar për aktivitetin e kandidatit për president. nuk është thjeshtë çështje për të parë datën e lindjes dhe as raporte nga shërbimet e tjera, duhet të shohim për çfarë po votojmë për president.
Duhet të ishte dokumentacioni i plotë pasi do të na shërbente për të parë fakte të tjera si psh ka qënë pjesë apo jo e Ministrisë së Brendshme në një moment të caktuar. Këto kanë të bëjnë më vlerësimin e deputetëve për kandidaturën, ajo që na mungon është dekreti i presidentit, relacioni juaj nuk mjafton.
Solemniteti i kësaj seance nuk është një shqyrtim që bën sekretaria, por ne, komisioni. Më vjen keq që thoni se duhet të konstatojmë vetëm kushtet bazë. Është detyrë e jona të shohim nëse përputhen edhe kushtet e tjera. Është nëse kandidatura ka ndonjë moment papajtueshmërie apo pazgjithshmërie.
Ushtarakët e shërbimit aktiv e kanë të ndaluar të kandidojnë për çdo lloj posti tjetër.
Jemi përpara nevojës për të verifikuar dhe nuk kemi dokumentin e dekretit…”, tha Bylykbashi. I vetmi që foli pas tij ishte Pandeli Majko ndërsa Klotilda Bushka kishte nje nxitim të shtuar për ta miratuar sa më shpejt raportin.
“Po flasim për një njeri i cili deri para disa orësh që ka mbajtur postin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura. Për të mbajtur këtë post, duhet të kalosh disa filtra që nuk i kalon as Presidenti. Ai që vendoset shef i Shtabit ka një investigim të mirëkuptuar nga partnerët. Janë shumë të njohura informacionet që për dikë tjetër do ishin të panjohura. Kemi të bëjmë me një figurë që ka kaluar të gjithë filtrat e nevojshëm”, u shpreh Majko.
Sipas tij “Presidenti në zyrë nuk është një dashamirës i maxhorancës dhe kandidaturave që nxjerr ajo. Kemi të bëjmë me një personalitet dhe një kandidat që duhet të largojë dyshimet për të kaluarën e tij dhe për mënyrën se si është filtruar. Ne nuk po çojmë shefin e shtabit në zyrën e Presidentit, po çojmë individin që ka qenë Shef i Shtabit”.
Grupi i Alibeajt bojkotoi komisionin një qëndrim që do ta mbajë edhe në votimin e të shtunës në Kuvend mbasdite.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje