Politike

“Ballkani i Hapur”, udhëheqësit mblidhen në takim mes polemikave të shkaktuara nga Lavrovi

Në Ohër mban punimet mes polemikash takimi i radhës i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Samiti i parapriu një darkë informale të mërkurën mes udhëheqësve, ndërsa këtë herë Aleksandër Vuçiçit, Edi Ramës dhe Dimitar Kovaçevskit u janë bashkuar si vëzhgues edhe Kryeministrat e Bosnjes dhe të Malit të Zi.

Rama u takua të mërkurën me Kryeministrin malazez, Dritan Abazoviç. Pjesëmarrjen e tij si vëzhgues, kreu i Qeverisë shqiptare e lexoi si përfshirje zyrtare të Podgoricës në këtë nismë.

“Kënaqësi marrja e kafes së sapombërritjes në Ohër me kryeministrin, Dritan Abazoviç, i cili sot fut zyrtarisht Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, si edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill, i cili është një mik i kahershëm i Shqipërisë e shqiptarëve, po edhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit të Hapur”, thotë Rama.

Rreth mesditës do të ketë takime mes udhëheqësve dhe delegacioneve përkatëse, ndërsa më pas konferenca tradicionale për shtyp.

Diskutimet në këtë samit do të përqëndrohen rreth turizmit dhe kulturës, ku pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve.

Samiti mblidhet në një kohë që nismës së “Ballkanit të Hapur” i dha mbështetje ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ky i fundit madje e konsideroi si një nismë ekskluzive serbe dhe akuzoi Bashkimin Europian se është kundër bashkëpunimit.

Deklarata e Lavrov ka shkaktuar polemika dhe rindezur zërat kritikë, që mendojnë se “Ballkani i Hapur” është mekanizëm i Serbisë për të vendosur hegjemoninë politike në rajon duke shfrytëzuar pushtetin ekonomik.

E duke qenë se Serbia është aleatja besnike e Moskës, kritikët mendojnë se nisma i shërben tërthorazi edhe qëllimeve dhe agjendës ruse në Ballkanin Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë