Politike

‘Kajmaku’ bashkon PD: Rama kriminalizoi shtetin

Partia Demokratike u shfaq e bashkuar në një zë në reagimin që pati pas lajmit të arrestimit të Agim Kajmakut në Itali nën dyshimet si pjesë e një grupi të shpërndarjes së kokainës.

“Ish Narko-Bashkiaku i Edvinit përfundon në burg! Agim Kajmaku trafikonte kokaine me padronet e tij ne qeveri! Miq, është arrestuar në Itali, ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku. Narko-Bashkiaku është kapur me 20 kg kokainë në Itali, duke pasqyruar qartë dhe pastër fytyrën e kësaj qeverie. Kryenarkomani Edi Rama ka shpërblyer me poste dhe para, trafikantë droge, vrasës e hajdutë të cilët kanë ushtruar detyrat e caktuara nga ai”, shkroi Berisha.

Ish-Kryeministri e cilëson këtë si provë që shteti është i kapur nga krimi.

“Kriteret e Edi Ramës për krijimin e qeverisë së tij nuk kanë qënë as arritjet profesionale e akademike, por rekordet kriminale. Personat me vrasje, aktive në boten e krimit, krerë organizatash kriminale, kanë predispozitën për të qënë drejtues nën petkun e Edi Ramës”, thotë Berisha.

Edhe Enkelejd Alibeaj reagoi me të njëjtën logjikë.

“E mbani mend kur Edi Rama thoshte “Gimi është si puna ime”? E kishte fjalën për Agim Kajmakun, ish-kryetar i bashkisë Vorë, sot i arrestuar në Itali për trafik droge. Kur PD e denoncoi me fakte aktivitetin kriminal të Kajmakut në Greqi, Rama e mbrojti, e justifikoi dhe e ia fshehu drejtësisë sa mundi. Nuk hoqi dorë asnjëherë prej sojit si ai, madje atë e përfshiu së fundmi edhe në zgjedhjet e 6 marsit në Vorë!”, tha ai.

“Agim Kajmaku është prova më e qartë për këtë. Edi Rama erdhi në pushtet me ndihmën e krimit që blenë e mblodhën vota për Rilindjen dhe vazhdon të qëndrojë në pushtet me votat e krimit e të non gratave”, vijon Alibeaj.

Gazment Bardhi ndau gjithashtu të njëjtin mendim.

“Edi Rama është përgjegjës për kriminalizimin e qeverisjes qëndrore dhe lokale. Ai nuk mund të fshihet dhe nuk mund ti ikë përgjegjësisë së tij. Edi Rama e emëroi Agim Kajmakun kryetar të bashkisë së Vorës dhe ai do të ishte sot në detyrë nëse PD nuk do kishte denoncuar të shkuarën e tij kriminale. Asokohe Edi Rama dhe Belinda Balluku, në vend të ndjesës ndaj qytetarëve, zgjodhën baltën ndaj denoncuesve”, shkroi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë