Me përjashtim të Bosnjes, Shqipëria është vendi i fundit që ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në mekanizmin e Bashkimit Europian për Mbrojtjen Civile.
Kërkesa iu dorëzua këtë të hënë komisionerit të menaxhimit të krizave Janez Lenercic nga Kryeministri Edi Ra,a.
“Falë ndihmës së komisionerit ne kemi marrë ndihmë nga ky mekanizëm në përballjen me zjarret e rënda të vitit të shkuar ku mjetet e rënda që u përdorën nga shtete si Holanda apo Çekia u përkisnin këtij mekanizmi. E pamë të udhës që dorëzimin e letrës së interesit për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë union ta bëjmë edhe publikisht nëpërmjet meje”, deklaroi Rama.
Mekanizmi përbëhet nga 33 vende, 27 shtete anëtare të BE-së dhe gjashtë vendet Turqi, Serbi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Islanda dhe Mali i Zi. Komisioneri Lenercic tha se e mbështet kërkesën e Shqipërisë.
“Unë e mbështes, që Shqipëria të ketë mundësi të jap solidaritetin e vet kur ka nevoja, do të vijojmë punën tuaj dhe më lejoni që t’ju dorëzoj një rrugëtim që ne mendojmë që duhet ta përmbushim duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin”, tha Lenercic, duke cituar edhe avionin grek që shoi flakët në Sazan pak ditë më parë, si ndihmë në kuadër të këtij mekanizmi.
I themeluar në 2001, mekanizmi i mbrojtjes civile synon të forcojë bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE -së dhe shteteve pjesëmarrëse në mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.
Themelues i agjencisë është Komisioni Europian, i cili luan rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj katastrofave duke kontribuar me mbi 75 për qind të kostove të transportit. Në të gjithë historikun prej dy dekadash, mekanizmi është përdorur për përballimin e mbi 540 emergjencave civile, kryesisht zjarre e përmbytje, por edhe tërmetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje