Politike

“OFL u përdor për të intimiduar krimin dhe përfshirë në fushatë për PS”, Salianji interpelancë me Bledi Çuçin

Kuvendi mblidhet këtë të enjte në seancë plenare, ku mes të tjerave në rend dite është edhe një projektligj për bujqësinë dhe zhvillimin rural dhe një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi.

Interpelanca është kërkuar nga deputeti i PD, Ervin Salianji me dyshimet se akti normativ i Qeverisë i 2020-s, kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj dhe i gjithë operacioni OFL u përdor për qëllime fushate.

“Propagandimi mediatik dhe daljet e shpeshta para fushatës së 25 Prillit 2021 pasuan me një vakuum dhe pas zgjedhjeve, çka lë dyshime që ky operacion u krye për të intimiduar kontigjentin kriminal për t’u përfshirë në fushatën zgjedhore të partisë në pushtet”, thotë Salianji në kërkesën e depozituar në Kuvend.

Interpelanca është kërkuar gjithashtu edhe për ligjin e vettingut në radhët e policisë, që në versionin fillestar parashikonte që në sitën e profesionalizmit, integritetit dhe pasurisë të kalonin të gjithë punonjësit e policisë dhe gardës.

Salianji ngre disa pyetje për ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi në lidhje me OFL.

“Sa është numri total i subjekteve të trajtuara dhe të hetuara nga Operacioni Forca e Ligjit? Sa është numri i subjekteve të OFL që ende nuk janë referuar në SPAK? Cila është lista e plotë e subjekteve të referuara në SPAK dhe lista e subjekteve që ende nuk janë referuar? Sa prej këtyre rasteve i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar? Sa prej këtyre rasteve të referuara janë kthyer nga ky organ për plotësim dokumentacioni?”, thuhet në listën e pyetjeve të deputetit të PD.

Sa i takon vettingut në polici, ai ngre tre pyetje.

Sa është numri total i punonjësve të policisë që janë vetuar? Sa prej tyre kanë kaluar vetingun? Sa punonjës të policisë së shtetit pritet të kalojnë në veting dhe deri në cilën periudhë?”, shkruan ai.

Në lidhje me këtë temë, vettingu është propozuar që të ndryshojë duke përfshirë vlerësimin vetëm të drejtuesve të lartë të policisë dhe gardës, ndërsa për punonjësit e tjerë vlerësimi do t’i lihet në dorë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë