Partia Socialiste do t’i bashkohet rezolutës së dënimit të gjenocidit serb në Srebrenicë, por jo me dokumentin e hartuar nga opozita dhe të depozituar nga deputeti i PD, Tritan Shehu.
Shehu kërkoi në seancën e kësaj të enjte që të caktohej një datë kur rezoluta e depozituar prej tij të diskutohej në seancë plenare, siç e parashikon rregullorja.
Deputetit të PD-së iu përgjigj kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ai tha se seanca do të mbahet në korrik, por jo për dokumentin e dorëzuar nga Tritan Shehu dhe të firmosur edhe nga Sali Berisha.
“Kemi rënë dakord që Kuvendi të mbajë një seancë të posaçme për këtë çështje. Kam kërkuar që seanca të zhvillohet pak ditë më parë, më 7 korrik. Të jetë një dokument serioz, ku Kuvendi të shprehë qartë përmes rezolutës dënimin dhe vijimin e qëndrimeve konseguente të Qeverisë shqiptare lidhur me pandëshkueshmërinë në rastin e këtij gjenocidi”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së shtoi se në këtë seancë do të jenë të ftuar edhe përfaqësues të qeverisë së Bosnje Hercegovinës dhe familjarë të viktimave nga ky gjenocid. Ky propozim mori edhe dakordësinë e opozitës.
Qëndrimi i ri i PS-së bie ndesh me qëndrimin fillestar të tyre. Kur u depozitua kërkesa për rezolutë e PD-së, kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se Kuvendi i Shqipërisë e kishte dënuar këtë gjenocid dhe e cilësuan kërkesën e Tritan Shehut si lojë të Sali Berishës.
Balla e përsëriti se dokumenti i ri që do të diskutohet e votohet në korrik nuk duhet të jetë një dokument që të përdoret nga Sali Berisha për qëllime politike.
“Rezoluta nuk mund të përdoret nga askush për nevoja të momentit politik brenda Partisë Demokratike. Do të jetë një dokument serioz, sepse Kuvendi i Shqipërisë është Kuvend i shqiptarëve dhe jo Kuvendi i një individi që në rastin e gjenocidit në Srebrenicë ka pasur kontributin e tij. Këta individë nuk mund të lejohen që të rehabilitohen përmes rezolutave”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje