Politike

Përplasja për OFL e vettingun, Salianji: U përdorën politikisht! Çuçi e mohon

Opozita akuzon se ligji për OFL-në dhe ligji për vettingun në polici, dy ligje të posaçme të miratuara nga Kuvendi i kaluar, i shërbyen Partisë Socialiste që të ushtronte presion në radhët e krimit të organizuar dhe të Policisë së Shtetit për t’i përdorur për qëllime elektorale.

“Qeveria ka propaganduar 2 nisma që i kemi debatuar që bëheshin për një arsye të caktuar, e para për të vendosur gjoba ndaj subjekteve kriminale dhe për t’i përfshirë në fushatën e 25 prillit dhe e njëjta gjë për propozimin për vettingun në polici ku kërkohej një kontingjent për t’i kërcënuar për tu përfshirë në fushatën e PS”, deklaroi nga Kuvendi deputeti i PD-së, Ervin Salianji.

Salianji kërkoi një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi për këtë çështje. Ministri tha se përfundimi se këto dy nisma u përdoren për qëllime elektorale është alogjik dhe i pambështetur në prova.

Çuçi tha se vërtet dy nismat ishin atipike dhe anormale, por rrëzoi akuzat e Salianjit.

“Ligji për OFL-në është miratuar në 2019 dhe është përmbyllur në dhjetor të 2020. Ka pasur një afat veprimi vetëm njëvjeçar. Vettingu synon të pastrojë radhët e Policisë së Shtetit dhe nxisë meritokracinë brenda policisë”, deklaroi Çuçi.

Në lidhje me numrin e subjekteve që u është kërkuar të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit të pasurisë si pjesë e ligjit të OFL-së, ministri Çuçi dhe Ervin Salianji dhanë shifra të ndryshme.

“Janë 2199 referime, ku 1682 subjekte janë evidentuar nga drejtoritë vendore të policisë, 475 nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ku ishte pjesë OFL dhe 42 të tjera nga Drejtoria e Antiterrorit”, tha ministri Çuçi.

Salianji ofroi një shifër sa një të katërtën e asaj që dha ministri. Ai tha se kjo shifër i ishte komunikuar zyrtarisht nga Policia e Shtetit.

“Policia e Shtetit me shkresë zyrtare më thotë se OFL ka kryer 515 praktika të subjekteve të ligjit të OFL. Nga këto 243 subjekte janë referuar në SPAK dhe janë arkivuar praktikat për 272 të tjerë. Pse? Këta 272 janë njerëz të favorizuar, shantazhuar për t’u përdorur si patronazhistë në fushatën elektorale. Nga 243, SPAK i ka kthyer. Nga 2 mijë e ca, siç thotë ministri, 1800 janë arkivuar, sepse kanë qenë patronazhistët e PS në zgjedhje. Janë këta që pastrojnë paratë në ndërtime në Tiranë”, tha Salianji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë