Ne rrjet

“Kina do të mbështesë Rusinë në çështjet për sigurinë”,  Xi i telefonon Putinit për ditëlindje

Udhëheqësi kinez Xi Jinping përsëriti mbështetjen e tij për Moskën lidhur me çështjet e “sovranitetit dhe sigurisë” në një telefonatë me homologun e tij Vladimir Putin të mërkurën, duke konfirmuar mbështetjen e tij për partneritetin e vendeve pavarësisht reagimit global kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Duke zhvilluar nje bisedë telefonike ne ditëlindjen e tij të 69-të, Xi gjithashtu u zotua të thellojë koordinimin strategjik midis dy vendeve, sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Nga Kremlini u tha se të dy udhëheqësit theksuan se marrëdhëniet e vendeve të tyre ishin “në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave” dhe riafirmuan angazhimin e tyre për “thellimin e vazhdueshëm të partneritetit gjithëpërfshirës”.

Telefonata mendohet të jetë e dyta që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Ata folën për herë të fundit vetëm disa ditë pasi Moska nisi atë që insiston ta quajë “operacion special ushtarak”.

Kina, gjithashtu, është përmbajtur nga referimi i veprimeve të Rusisë si një pushtim dhe ka ecur në këtë devize.

Ajo e ka portretizuar veten duke bërë thirrje për paqe dhe duke mbështetur rendin global, ndërsa refuzon të denoncojë veprimet e Rusisë.

Ajo ka përdorur gjithashtu aparatin e saj shtetëror të medias për të imituar linjat e Kremlinit që fajësojnë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për krizën.

Gjatë telefonatës së së mërkurës, Xi theksoi se Kina gjithmonë e kishte “vlerësuar në mënyrë të pavarur situatën” në Ukrainë dhe bëri thirrje që “të gjitha palët” të shtyjnë për një “zgjidhje të duhur të krizës në Ukrainë” – duke i bërë jehonë gjuhës që ai përdori në një telefonatë të marsit me Presidentin e SHBA Joe Biden. .

Kina është “e gatshme të vazhdojë të luajë rolin e saj” në promovimin e një “zgjidhjeje të duhur” për Ukrainën, tha ai.

Kremlini e çoi këtë qëndrim një hap më tej, duke thënë: “Presidenti i Kinës vuri në dukje legjitimitetin e veprimeve të Rusisë për të mbrojtur interesat themelore kombëtare përballë sfidave për sigurinë e saj të krijuara nga forcat e jashtme”.

Censura e Kinës për luftën e Rusisë në Ukrainë ka tensionuar më tej marrëdhëniet e  Pekinit me SHBA-në dhe aleatët e saj.

Zyrtarët amerikanë u kanë bërë vazhdimisht thirrje vendeve që të dënojnë veprimet e Rusisë dhe kanë paralajmëruar homologët e tyre kinezë që të mos ndihmojnë Moskën.

Lidhjet tregtare

Telefonata e së mërkurës ishte gjithashtu një shans për Putinin dhe Xi për të kontrolluar një marrëdhënie tregtare në rritje.

Në fillim të këtij viti, javë përpara pushtimit rus, të dy udhëheqësit në një takim ballë për ballë thanë se vendet e tyre kishin një partneritet “pa kufij” dhe u zotuan të nxisin tregtinë.

“Që nga fillimi i këtij viti, marrëdhëniet dypalëshe kanë ruajtur një vrull të shëndoshë zhvillimi përballë turbulencave dhe transformimeve globale,” tha Xi në telefonatën e së mërkurës.

“Pala kineze është e gatshme të punojë me palën ruse për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të bashkëpunimit praktik dypalësh,” tha Xi, duke treguar “përparimin e qëndrueshëm” të lidhjeve të tyre tregtare dhe hapjen javën e kaluar të urës së autostradës kufitare mbi lumin Amur.

Të dy ranë dakord të zgjerojnë bashkëpunimin në energji, financa, prodhim dhe fusha të tjera, “duke marrë parasysh situatën ekonomike globale që është bërë më e ndërlikuar për shkak të politikës së sanksioneve të paligjshme të ndjekura nga Perëndimi”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Të dy vendet u zotuan gjithashtu të punojnë së bashku për të forcuar komunikimin dhe koordinimin në organet ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara – ku të dy votojnë shpesh si një bllok.

“Kina është gjithashtu e gatshme të punojë me Rusinë për të promovuar solidaritetin dhe bashkëpunimin midis vendeve të tregut në zhvillim … dhe të shtyjë zhvillimin e rendit ndërkombëtar dhe qeverisjes globale drejt një synimi  më të drejtë dhe më të arsyeshëm,” tha Xi.

Uurime per ditelindje

Telefonata nuk ishte e para që Xi dhe Putin – dy burra të fortë të bashkuar nga mosbesimi i ndërsjellë ndaj Perëndimit – kanë pasur në urimet për ditëlindjet e njëri-tjetrit.

Në vitin 2013, Xi i dhuroi Putinit një tortë ditëlindjeje dhe të dy pinë vodka së bashku për të shënuar ditëlindjen e 61-të të liderit rus gjatë një konference në Indonezi. Xi më vonë festoi ditëlindjen e tij të 66-të gjatë një samiti 2019 në Taxhikistan me Putinin, i cili e befasoi atë me akullore, tortë dhe shampanjë.

Marrëdhënia e tyre personale, në të cilën Xi e ka përshkruar Putinin si “mikun e tij më të mirë dhe të gjirit” mendohet gjithashtu se forcon dinamikën e raportit të tyre forcues në nivel kombëtar.

Në njoftimin e  fundit të dy liderëve, Kremlini vuri në dukje se biseda u zhvillua në një “atmosferë tradicionalisht të ngrohtë dhe miqësore”. (.cnn.com) / Përshtati në shqip: Gazeta ‘Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë