Politike

Lufta në Ukrainë dhe rreziqet / Xhaçka në OKB: Koha për njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës  

Pushtimi rus në Ukrainë, pasojat e tij si dhe nevoja për njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës ishin çështjet e ngritura nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në debatin e Këshillit të Sigurimit, Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe organizatave rajonale dhe nënrajonale.

Sipas ministres Xhaçka, agresioni rus vazhdon të vërë në rrezik jetët dhe sigurinë fizike të evropianëve, por gjithashtu paraqet një sfidë për vlerat e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë që bashkojnë evropianët.

“…6.8 milionë refugjatë që kanë kaluar kufijtë ndërkombëtarë, nuk janë turistë që po përpiqen të zbulojnë vende të reja, ata më së shumti janë gra dhe fëmijë të shpërngulur në mënyrë brutale nga shtëpitë e tyre, në kërkim të një strehe. Ne e vlerësojmë zemërgjerësinë dhe mikpritjen e vendeve fqinje dhe vendeve të tjera që kanë hapur zemrat dhe shtëpitë e tyre për Ukrainasit, që i janë larguar një lufte që nuk e kishin zgjedhur ata. Vendi im, Shqipëria, po jep kontributet e saj modeste për t’i mikpritur dhe mbështetur ata.

Vala e paprecedentë e refugjatëve, e paparë në kontinentin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka sfiduar seriozisht Evropën, por nuk ka cenuar unitetin e saj”, tha Xhaçka.

Ajo vuri theksin tek përshpejtimi i përpjekjeve të Bashkimit Evropian në lehtësimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që sipas ministres duhet të çojë në “njohje reciproke”.

“Është koha për të parë rezultate konkrete dhe arritje të qëndrueshme. Sa më shpejt që të mbyllet ky kapitull me një marrëveshje, aq më mirë do të jetë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike apo ideologjike. Bashkimi Evropian e ka dëshmuar prej kohësh dividentin e saj të paqes për 550 milionë qytetarët e tij. Ne e vlerësojmë dhe e dëshirojmë këtë shtrirje dhe në Ballkanin Perëndimor…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë