Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka kërkuar BE-së që në samitin e 23 qershorit, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i jepet drita jeshile për nisjen e negociatave.
Nisur nga situata e fundit që imponoi lufta në Ukrainë, përmes një letre dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti sollven shkruan se duhet të liberalizohen edhe vizat me Kosovën.
“Duke pasur parasysh agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe efekteve të luftës në sigurinë evropiane, të cilat po shtohen, duhet të potencohet rëndësia e Bashkimit Evropian si një garantues i sigurisë dhe stabilitetit. Ndërsa unë sinqerisht mbështes të gjitha përpjekjet për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit, jam gjithnjë e më shumë i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, të cilit ne vazhdimisht po i shprehim garanci dhe perspektivë evropiane, por rajoni po largohet gjithnjë e më shumë.
Unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këtë vend, ka pasoja shumë negative nga procesi shumë i ngadaltë i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe largimi nga perspektiva evropiane. Në këto rrethana, nacionalizmi dhe lufta për ndryshimin e kufijve po intensifikohen, të gjitha këto po çojnë në paqëndrueshmëri në rritje që kërcënon sigurinë jo vetëm të BiH dhe fqinjësisë së saj të afërt, por edhe të Bashkimit Evropian”, shkruan presidenti slloven ne letër.
Më tej ai nënvizon: “Jam i bindur se është e domosdoshme që Bosnje-Hercegovinës t’i jepet statusi i kandidatit pa kushte. Natyrisht, BiH duhet të plotësojë kushtet, por rendi duhet të jetë i ndryshëm – kështu që së pari statusin e kandidatit dhe më pas plotësimin e kushteve. Sipas mendimit tim, kjo do t’i forconte forcat pro-evropiane në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe dinamikat e përshtatjes së brendshme me normat evropiane”.
‘Unë besoj se nevojiten hapa konkretë për të përshpejtuar zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i jepet drita jeshile për fillimin e negociatave në qershor dhe Kosova të marrë liberalizim vizash. Besoj se të dyja kërkojnë vetëm vullnetin politik të shteteve anëtare… Dua gjithashtu një proces më të shpejtë negociues me Malin e Zi dhe Serbinë”, vijon letra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje