Nga Gazeta Si – Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ka paditur në Gjykatën e Tiranës Evis Kokalarin. Ai e akuzon atë për shpifje dhe kërkon dëmshpërblim prej 1 milion lekësh. Sipas padisë ky dëmshpërblim kërkohet për shpifjet dhe fyerjet e publikuara në rrjetet sociale dhe mesazhe telefonike të shpërndara.
Më tej në një postim në Facebook, Këlliçi sqaron se ky sulm i Kokalarit ka nisur që nga Foltorja dhe sipas tij janë të njëjtat që përdor kryebashkiaku Veliaj.
“Ky sulm nuk është i beftë. Gatitej që nga koha kur në Foltoret e nismuara nga Doktor Berisha, përpos Zj. Kokalari, u pozicionuan të rinjtë e FRPD; mes tyre edhe unë.
Kam zgjedhur të mos i përgjigjem me ‘dazibao’ akuzave dhe me komente Facebooku, prandaj sot, në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kam depozituar një padi kundër personit në fjalë, për shpifjet, fyerjet dhe mesazhet telefonike të shpërndara prej saj. Shi me baltë nuk ka! Ka shi që dheun e bën baltë, dhe Zj. Kokalari e ka bërë baltë ndaj personit tim dhe FRPD që unë drejtoj, duke e cilësuar ‘klan’ brenda PD”, shkruan ndër të tjera Këlliçi.
Ndërkohë, përballja me Belind Këlliçin në gjykatë është e mirëpritur nga Evi Kokalari, që thotë se kjo ishte e vetmja mënyrë për të bërë publike votat e tij në Këshillin Kombëtar, duke ekspozuar kështu lobimin për të cilin e akuzon prej kohësh.
“Belind Këlliçi më doli në shteg! E falënderoj Belind Kelliçin për padinë ndaj meje. Në fakt, provokimet e mia në median sociale kanë qenë pikërisht që ai të bënte padi, sepse ishte e vetmja mënyrë që unë mund të paraqis faktet e manipulimeve që ai ka bërë në Këshillin Kombëtar’, shkruan Kokalari.
Në përgjigjen që i jep Këlliçit pas njoftimit për t’u përballur në gjykatë, Evi Kokalari e akuzoi atë se i ka dërguar njerëz me sulme nga më të ultat, përfshirë edhe ngacmimet seksuale. Kjo është përplasja e parë brenda Foltores dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka qëndruar në heshtje deri tani.
Belind Këlliçi mori numrin më të madh të votave nga anëtarët e tjerë të kryesisë, por pak ditë më vonë ai nuk arriti të zgjidhej nënkryetar i Partisë Demokratike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje