Politike

Bullgaria nuk heq dorë nga vetoja, Ministria e Jashtme rrëzon propozimin francez

Bullgaria nuk do të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për caktimin e një date për negociatat, të paktën jo nëse ky vendim nuk merret nga Parlamenti vendas.

Kështu i është përgjigjur propozimit francez Ministria e Jashtme bullgare, duke i dhënë një goditje përpjekjes së Brukselit për ta zhbllokuar këtë proces këtë qershor.

“Nëse kjo (heqja e vetos nga Parlamenti) nuk ndodh sa më shpejt, Ministria e Punëve të Jashtme ka mandat vetëm t’i përmbahet qëndrimit Kornizë, Deklaratës së Parlamentit të vitit 2019 dhe konkluzioneve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vitit 2022, mbi të cilat drafti i propozuar nuk i plotëson kushtet”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme bullgare.

Kjo ministri drejtohet nga ministrja e dorëhequr, Teodora Gencovska, pjesë e partisë “Ka një popull të tillë”, e cila u largua nga qeveria dhe koalicioni qeverisës për shkak të dallimeve mbi qëndrimin ndaj Maqedonisë së Veriut dhe krizës së çmimeve.

Sipas kësaj deklarate, Parlamenti bullgar duhet ta heqë veton brenda ditës së martë, për të mundësia një vendim pozitiv për datën e nisjes së bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë samitit të Këshilli Europian më 23 dhe 24 qershor.

Propozimi francez, që iu dorëzua Bullgarisë përmban pesë pika. Së pari, Shkupi duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendimet territoriale ndaj Bullgarisë, se do të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, se do të rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, reprezaljet në territorin e saj për shkak të përkatësisë së tyre etnike bullgare, harmonizimin e teksteve shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, heqjen e të gjitha tabelave që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë.

Pika e pestë dhe më delikatja lidhet me gjuhën. Bullgaria e konsideron maqedonishten dialekt të saj, ndërsa Shkupi e quan gjuhë më vete. Franca propozon që kjo përplasje të zgjidhet në një moment të dytë.

Institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë komentuar propozimin por as zhvillimet në Bullgari ndërkohë që opozita maqedonase ka thënë se propozimi është i papranueshëm dhe se VMRO DPMN nuk do të pranonte ndryshimin e kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Vetoja bullgare në këtë rast do të djegë edhe Shqipërinë, ndërsa fill pas kësaj Tirana pritet që të kërkojë shkëputjen nga Shkupi. Kryeministri Edi Rama i ka mëshuar disa herë kësaj ideje, ndërsa ka gjetur mbështetjen për ndarjen edhe nga Kancelari gjerman, Olaf Scholz.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë