Bota

Temperatura rekord të vapës në Europë, zjarre të mëdha në disa zona të Spanjës

Gazeta Si – Vala e nxehtësisë është shtrirë në të gjithë Evropën në këtë fillim të javës, 20 qershor 2022.

Njerëzit janë grumbulluar në parqe dhe pishina për t’u freskuar, por merkuri është rritur në mbi 40 gradë në Francë dhe Spanjë dhe në majat e 38 gradëve në Gjermani.

Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave të Komisionit të BE-së, “Copernicus”, raportoi se rreziku i zjarreve është “ekstrem” dhe “shumë ekstrem” në Sardenjë, Siçili dhe pjesë të tjera të Italisë kontinentale, në pjesën më të madhe të Spanjës, si dhe në luginën franceze të Rhone.

Spanjë – Edhe në Andaluzi temperaturat kanë kaluar 50 gradë, por edhe në zonat e Spanjës që janë zakonisht më të buta, si Kastilja dhe Katalonja, 40 gradë janë rend i ditës.

Emergjenca e zjarrit është tashmë e përditshme. Në veriperëndim, në Toledo dhe në zonën e Tarragonës, dhjetëra mijëra njerëz duhej të evakuoheshin.

Zjarri që ka krijuar më shumë shqetësim, është ai i zhvilluar në Sierra de la Culebra, një zonë e provincës Zamora (Castile dhe León): flakët kanë djegur më shumë se 25 mijë hektarë tokë dhe kanë detyruar të evakuojnë qindra njerëz që banojnë në vende të ndryshme.

Orë “të ndërlikuara” edhe në rajonin e Navarrës, ku ka nisur një “luftë” e autoriteteve për të kontrolluar disa zjarre që janë raportuar që nga e shtuna e 18 qershorit.

Situata është veçanërisht e vështirë në lidhje me pesë zjarre që aktualisht konsiderohen “jashtë kontrollit”, sipas përditësimit të fundit zyrtar. Autoritetet bëjnë thirrje për “mbajtjen e qetësisë” dhe shmangien e “udhëtimeve të panevojshme”.

Francë – Alarmi i kuq është hequr, por 50 departamente, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit, mbeten në ngjyrë portokalli.

Edhe këtu temperaturat janë qartazi mbi 40 gradë. 32 departamente të tjera janë në alarm të verdhë.

Megjithatë, shumica e këtyre të fundit janë për shkak të stuhive, shiut, përmbytjeve ose erërave të forta.

“Një valë e hershme dhe intensive e të nxehtit është duke u zhvilluar në një pjesë të madhe të zonës lindore të vendit”, shkruan “Météo-France” në buletinin ditor, i cili parashikon gjithashtu një “përkeqësim të mprehtë të motit në Aquitaine e Re në ‘Ile-de France’.

Gjermania dhe Zvicra – Shifrat e nxehtësisë kanë kaluar 35 gradë edhe në vendet normalisht më të freskëta, si Gjermania dhe Zvicra. E pare, veçanërisht, ka parë zjarre të shumta në ditët e fundit pas një periudhe të nxehtësisë intensive dhe shiut të pakët.

Agjencia kombëtare meteorologjike gjermane, raportoi të dielën se termometri kaloi 38 ° në një stacion studimi në lindje të vendit.

Për shkak të një zjarri, i cili shkatërroi 100 hektarë pyll në rajonin e Brandenburgut, rreth 700 njerëz u evakuuan në zonat përreth Berlinit.

Emergjenca do të vazhdojë të paktën deri të martën më datë 21, kur pritet që shirat duhet të rikthejnë në normalitet kushtet, të paktën për disa ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë