Politike

Rama e Kurti entuziastë, thërrasin Kuvendin e përbashkët dhe ‘heqin’ kufirin gjatë verës e për fundjava

Mbledhja e tetë e përbashkët e qeverisë së Shqipërisë me atë të Kosovës nisi nën një klimë më shumë se miqësore mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Që të dy kryeministrat u shfaqën entuziastë për çfarë është arritur deri më tani në ndërveprimin mes dy vendeve, por edhe për projektet e të ardhmes.

“Optimizmin ta kthejmë në entuziazëm. Sot bashkëpunimi mes dy shteteve duhet të rindezë entuziazmin që pati në kohën e luftës për çlirim. Bashkëpunimi s’ka qenë asnjëherë më i gjerë dhe intensiv. Sfidat janë të shumta. Kur problemet shfaqen më haptaz dhe orientimet gjeopolitike shfaqen më hapur, përcaktimi ynë është më i thjesht. Parimi dhe strategjia jonë njësohen kur situata e madhe gjenden të detyruara për të publikuar rreshtimin e vet”, deklaroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Rama iu referua shifrave për të ilustruar idenë se sa kanë ndihmuar qytetarët vendimet e përbashkëta mes dy qeverive.

“Kur kemi nisur punën me nga afër dhe intensivisht me qeveritë e Kosovës kemi pasur një volum shkëmbimesh tregtare 160 mln euro. Sot për vitin që lamë pas është 433 mln euro”, deklaroi Rama.

Për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, Rama propozoi që në nëntor të mbahet një mbledhje e përbashkët e dy Kuvendeve.

“Në nëntor të kemi të parin Kuvend të përbashkët, me të dyja parlamentet e mbledhura në një sallë, ku po na u dha mundësia të na jepet privilegji që të adresojmë bashkë këta Kuvende. Japim mesazhin për të gjithë ata që lexojnë sloganet e mbledhjeve nuk janë mbledhje bosh”, tha Rama.

Albin Kurti tha nga ana tjetër se mes dy Kryeministrave nuk ka asnjë problematikë, apo përplasje politike. Edhe ai bëri thirrje që dy qeveritë të punojnë për të njësuar rregullat e legjislacionin mes dy vendeve. Rama e përforcoi këtë deklaratë.

“Kërkojnë të fusin xixa mes nesh dhe të shikojnë me patjetër çështje të hapura mes meje dhe Kurtit. Jemi shumë të hapur dhe për çështjet për të cilat nuk merremi vesh kemi kënaqësi t’i zgjidhim me dakordësinë për të mos u marrë vesh”, u shpreh Rama.

Mes morisë së marrëveshjeve, në këtë mbledhje u nënshkrua një protokoll që shmang kontrollet dhe ndalesat për qytetarët që udhëtojnë mes dy vendeve nga 1 qershori deri në 30 shtator, për fundjava dhe në raste festash.

Nga projektet e tjera të përbashkëta mes dy vendeve, Rama foli për enciklopedinë shqiptare, si një projekt madhor albanologjik mes dy akademive dhe abetaren e unifikuar, marrëveshja për të cilën është nënshkruar. Rama e Kurti synojnë që këtë abetare ta përfshijnë për të gjithë shqiptarët në rajon dhe diasporë.

“Kemi folur me përfaqësues shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, kemi folur me Kryeministrin e Malit të Zi dhe do të flasim me Serbinë për shqiptarët në Preshevë, plus në diasporë të shkojë e njëjta abetare”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë